E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani | 15.05.2010

Kryeministri shqiptar Sali Berisha tha të shtunën (15.5.) në mesditë në një konference për shtyp, se bazë për zgjidhjen e krizës në Shqipëri është rezoluta e Asamblesë Parmentare të Këshillit të Evropës dhe deklaratat përkatëse të Bashkimit Evropian. Ai mohoi se kishte dijeni për një draft të hartuar nga faktorët ndërkombëtarë në Tiranë lidhur me zgjidhjen e krizës aktuale në vend. Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e hartuar në shkurt të këtij viti, sheh mundësinë e zgjidhjes së krizës në ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të kryesuar nga opozita dhe në respektimin e kushtetutës dhe vendimit të gjykatave vendore. Në mars të këtij vit parlamenti miratoi ngritjen e një komisioni të tillë parlamentar, por opozita kundërshton të marrë pjesë në të pasi ky komision përjashton mundësinë e hapjes së pjesshme të kutive të votimit.

Më parë mediet në Shqipëri kishin informuar se sipas përfaqësisë së OSBE-së në Tiranë, faktori ndërkombëtar ka propozuar një zgjidhje kompromisi për klasën politike shqiptare.

Të premten (14.5.) mijëra përkrahës të PS-së dhe partive të tjera opozitare nga rrethe të ndryshme të Shqipërisë mbajtën një protestë në bulevardin kryesor të Tiranës. Qëllimi i tyre ishte mbështetja e grevës së urisë që prej dy javësh po zhvillohet nga rreth 200 përkrahës të opozitës, mes tyre dhe disa deputetë të saj.

Sipas organizatorëve në protestë morrën pjesë rreth 200.000 vetë. Ata kërkojnë rinumërimin e votave të zgjedhjeve të qershorit 2009 dhe dorëheqjen e kryeministrit Sali Berisha. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh se nuk ishte greva e urisë që ka sjellë thellimin e krizës, por sipas tij thellimi i krizës që ka sjellë grevën. Do të rezistojmë me kurajo e durim pa thyer asnjë xham e pa këputur asnjë lule, tha kryetari i opozitës. Fitorja e kauzës sonë është shumë më afër se sa 14 ditë më parë. Ne nuk lëvizim nga këtu, sepse ajo që ne kërkojmë është interesi ynë kombëtar, iu tha mbështesve Edi Rama.

Ndërsa Skënder Gjinushi nga Partia Socialdemokrate duke folur para protestuesve u shpreh: "Kriza ka një emër - Sali Berisha. Ka vetëm një zgjidhje, dorëheqja e tij."

Protesta e opozitës u mbikëqyr nga forca të shumta të policisë të vendosura jo vetëm përgjatë bulevardit, por dhe në akset kryesore hyrëse e dalëse të kryeqytetit.

Autor: dpa/muka/xhani

Redaktoi: Sonila Harasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›