Dhëmbët, këshilla që ata të jenë të bukur
Për një buzëqeshje të bukur duhet të keni dhëmbë të bukur. Prandaj për të ruajtur shëndetin e dhëmbëve dhe gojës, por edhe për të lënë përshtypje pozitive para të tjerëve është e domosdoshme që pas çdo ushqimi të lahen dhembët dhe hapësira e gojës. Keni dëgjuar për dobitë e shumta që ka organizmi nga çaji i gjelbër, ndërsa krahas efekteve të tjera dobiprurëse, çaji i gjelbër i mbron edhe dhëmbët nga kariesi, njëri nga shkaktarët kryesorë të erës së keqe nga goja. Megjithatë asnjë pastë nuk i bën dhëmbët më të bardha se ç´janë, megjithëse reklamat thonë të kundërtën. Pasta heq njollat nga dhëmbët, por kurrë nuk i zbardh ato. Fluori është lënda më e rëndësishme e pastës së dhëmbëve. Ai forcon dhëmbët dhe rrit qëndrueshmërinë e tyre ndaj sulmeve të acideve. Fluori gjithashtu frenon gërryerjet e dhëmbëve dhe mund të ndihmojë dhëmbët me vrima të vogla.
Fluori
Mos blini një pastë dhëmbësh që nuk përmban fluor. Por edhe fluori duhet marrë në mënyrë të matur. Në Europë përqindja më e lartë e fluorit që lejohet të përmbajë një pastë dhëmbësh është 0,15 për qind. Mund të jetë e shkruar edhe si 1.500 ppm (pjesë për milion). Të rriturit bëjnë mirë të përdorin një pastë dhëmbësh me përqindjen më të lartë të fluorit që lejohet. Por ajo që është me rëndësi tek një lloj paste dhëmbësh nuk është vetëm përmbajtja e fluorit por edhe aftësia e përmbajtjes së pastës për të lidhur kimikisht fluorin me emalin. Pasta dhëmbësh me një aftësi të tillë janë p.sh. Dentosal apo Euro Shopper. Pasta dhëmbësh me aftësi të keqe janë p.sh. Vademecum dhe Stomatol.
Larja
Larja e dhëmbëve në darkë është më e rëndësishmja, meqenëse është e gjithë nata përpara. Doune Birkhed, profesor në Shkollën e Lartë të Dentistëve në Goteborg të Suedisë thotë që efekti i pastës së dhëmbëve përmirësohet duke përzier shkumën e pastës me pak ujë dhe kaluar përmes dhëmbëve përpara se të hidhet jashtë gojës. Një shpëlarje e tillë dhëmbësh për 20 sekonda është një mënyrë e mirë për të bërë fluorin të futet në hapësirat e ngushta. Përveçse fluorit disa pasta dhëmbësh përmbajnë lëndën bakteriepenguese të quajtur triclosan (triklosan), e cila ul rrezikun për malcimin e mishit të dhëmbëve dhe në perspektivë ul rrezikun që mishi të lëshojë dhëmbët.
Kërcitja
Kush kërcet dhëmbët në gjumë, personi është duke bluar një problem, qoftë mekanik apo shpirtëror. Kërcitja e dhëmbëve në gjumë nuk është ndonjë dukuri e rrallë tek njerëzit. Sipas një studimi që bëri Mauris Ohayon dhe trupa e tij e Universitetit të Standord-it të SHBA-së, duke hulumtuar mbi 13 000 vetë në Gjermani, Angli, dhe Itali doli se më tepër se 8 për qind të të pyeturve kërcisnin dhëmbët të paktën një herë në javë. Kjo kërcitje shkakton më tepër se shqetësimin e bashkëshortit në prehjen e natës.
Rëndësia
Dhëmbë të pastër dhe një furçe e pastër dhëmbësh janë mjete të efektshme kundër infeksioneve. Studiuesit kanë vënë re se bakteret që gjenden në gojë mund të qarkullojnë nëpër pjesë të tjera të trupit. Kjo do të thotë se një higjienë e keqe e gojës mund të ketë të bëjë me infektime në trup, sëmundje të zemrës apo ndonjë infarkt zemre. Sipas lidhjes amerikane të dentistëve dhëmbët duhet të lahen më së shumti 20 minuta pas një vakti ngrënieje. Gjithashtu duhet ndërruar furça e dhëmbëve menjëherë pas ndonjë ftohjeje apo infektimi të fytit pasi mbetet rreziku që njeriu t´i ngjisë infektimin përsëri vetvetes.
Koenzima Q 10
Koenzima Q10 (ubiquinone) bën të mundur shndërrimin e energjisë nga ushqimi në energji trupore. Ajo është një lëndë, mund të jetë vitaminë ose e ngjashme me të që është e pranishme në çdo qelizë të trupit të njeriut që përveç të tjerash mundëson qelizat të marrin frymë. Trupi i njerëzve që merren me punë që kërkojnë lëvizje të shpeshta apo shtrydhje koke ka një nevojë më të madhe për koenzimën Q10, sidomos ata që i kanë kaluar të 35 vjetët. Por njerëzit që ndjehen të shëndetshëm nuk kanë përse të marrin ekstra Q10. Në të vërtetë Q10-ta është pranishme në sasi të vogla në një numër të madh ushqimesh por përqendrimin më të madh e gjejmë në organet mishtore si zemra, mëlçia dhe veshkat por edhe në tule, vaj luledielli, sardele, skumbri, kikirikë.
15 Maj 2010