Golf VII, gjenerata e re moderne, gati në vitin 2012
Golf VI është me ne vetëm prej dy vjetësh e mediet e huaja, të cilat mbulojnë fushën automobilistike kanë filluar të flasin me të madhe për trashëguesin e tij, të cilin supozohet se do ta shohim në vitin 2012. Gjenerata e shtatë e Golfit do të ndërtohet në platformën e re të cilën do ta ndajë me modelin e ngjashëm me të, atë “Passat”. Platforma e re do të jetë pak më e lehtë dhe do t’i mundësojë “Volkswagenit” përpunimin e versioneve karavan, kabriolet dhe kupe, duke marrë si shembull atë Passat Ç, si dhe variantet e tij me motorizim të përparmë dhe integral.
Automjeti do të futet në lëvizje nga paleta standarde e motorëve prej të cilëve do të veçohet njësia e re 1.2-litërshe TSI me 105 kuaj fuqi, si dhe tre-cilindërshi i porsaparaqitur 1.2-litërsh TDI me 75 kuaj fuqi dhe 120 Nm i cili Golfit do të duhej t’i sigurojë emetimin e CO2 më të ulët se 100 gramë për kilometër. Gjenerata e shtatë e Golfit supozohet se do të jetë një version hibrid ku elektromotorit do t’i bëjnë shoqëri motorët me naftë ose me benzinë. Nga avancimet tjera teknologjike, gjenerata e shtatë e Golfit do të ketë sistem për njohjen e shenjave të trafikut si dhe sistem për auto-parkim, ndërsa portali automobilistik “AutoExpress” përmend edhe sistemin që lidhet me navigacion i cili ua tërheq vëmendjen shoferëve për kthesa të rrezikshme, kufizim të shpejtësisë, tatëpjeta dhe përpjeta të mëdha.
iPad Apple
Me gurë të çmuar kushton 189.000 dollarë
Stjuart Huges, i njohur për prarimin dhe dekorimin e pajisjeve me diamante dhe gurë të tjerë të çmuar, tani ka marrë përsipër edhe kompjuterin tablet iPad të kompanisë Apple. Punimet veçanërisht të njohura të Huges janë versionet e celularëve të punuar nga ai, të cilët arrijnë çmime të paparamenduara. Pasi ka përpunuar disa super versione të iPhone, Hughes ka vendosur të përpunojë edhe pajisjen iPad. Pjesën e pasme të kompjuterit tablet, e cila përndryshe punohet nga alumini, e ka zëvendësuar me atë të veten prej 22 karatëve prej ari si dhe logon e prodhuesit e ka formësuar me 53 diamante. Rezultati i fundit i arritur është një kompjuter tablet i cili kushton as më pak e as më shumë se 189.000 dollarë.
15 Maj 2010