Gjykata e Lartë, në fushatën e presidentit
Gjykata e Lartë e Shqipërisë u përfshi dje në betejën për zgjedhjen e presidentit duke marrë një vendim të ndërmjetëm, i cili synon të dërgojë sinjale politike tek dy deputetë të parlamentit shqiptar, që janë në pozita të ngjashme për akuzat për korrupsion. Dritan Prifti, ish- Ministri i Ekonomisë, i cili denoncoi publikisht Ilir Metën për ndërhyrjet e tij politike për favorizime financiare, ka kërkuar prej Gjykatës së Lartë, që nën precedentin e krijuar nga gjykimi i Ilir Metës, të konsiderohej e pavlefshme videoja, e cila është vazhdim i regjistrimit të videos së Ilir Metës. Gjykata e Lartë, e përbërë nga një trupë e përzgjedhur si me dorë nga Sali Berisha, e hodhi poshtë kërkesën e avokatëve, e cila i referohej vetë arsyetimeve të Gjykatës së Lartë për këtë rast të ngjashëm. Biles dy prej gjyqtarëve, Dizdari dhe Fullani, kanë qenë partizanë të këtij arsyetimi në rastin e Ilir Metës.
Qëndrimi i ri i Gjykatës zbulon qartë komandimin e saj politik nga Sali Berisha, pasi me këtë vendim të ndërmjetëm vihen para presionit politik dy deputetë të parlamentit shqiptar. Agresimi i parë me këtë vendim të ri të Gjykatës së Lartë i bëhet Ilir Metës, të cilit i kujtohet se çështja e tij mund të rihapet dhe ai mund të gjykohet për videon që e mbylli me ekspertizën e Xha Brahos. E gjithë kjo pas institucionalizimit te dialogut PS LSI. Shantazhi i dytë bëhet ndaj Dritan Priftit, vota e të cilit mund të jetë vendimtare në zgjedhjen e presidentit. Pra, vendimi i Gjykatës na detyron të mos merremi me fajësinë apo pafajësinë e Ilir Metës dhe Dritan Priftit, por me komandimin politik të Gjykatës së Lartë, e cila nuk ka as turp, as drojë dhe as shqetësimin më të vogël për imazhin e saj publik, por përfshihet në shërbim direkt politik për kryeministrin e vendit për nevoja politike. Kjo e bën cilësisht të rrezikshëm vendimin e Gjykatës së Lartë, jo aq për ndëshkimin e Priftit apo mosndëshkimin e Metës se sa për shantazhin ndaj të dyve për qëllime politike. Përfshirja e Gjykatës së Lartë deri në këtë shkallë të shpërndarjes së pushtetit në Shqipëri, e kthen atë nga një institucion drejtësie, në një mekanizëm junte, që dikton emërimet në postet kyçe në shtetin shqiptar.
Na duhet të kujtojmë që po kjo gjykatë, biles një prej anëtareve të kësaj gjykate, zonja Fullani, arriti të përdorë postin e saj në Gjykatën e Lartë për të imponuar burrin e saj si Guvernator të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që ai është një nga ekonomistët më të dobët të këtij vendi, më mediokri, më i padituri për fushën bankare, me rezultate qesharake të studimeve dhe me një histori karriere, ku mbahen mend vetëm bakshishet për shefat dhe jo ndonjë vepër e tij profesionale. Ishte kjo gjyqtare që iu imponua pushtetit duke prodhuar një pakicë të votave me LSI si grup presioni, për të zgjedhur Guvernator Adrian Fullanin. Është po kjo gjykatë, e cila po përpiqet të krijojë sërish votat e saj në Kuvend për tia vënë në dispozicion Sali Berishës për president.
Ky është një mision i turpshëm i saj. Ilir Meta, Lulëzim Basha, Fatmir Mediu, Dritan Prifti dhe kushdo zyrtar tjetër i lartë duhet të shkojnë para gjykatës si të barabartë dhe duhet të gjykohen jo në kontekst politik, por në raport me fajësinë e tyre me veprën penale. Kjo Gjykatë ka falur Lulëzim Bashën për një vjedhje monstruoze, duke e konvertuar në ndere personale për ta, kjo gjykatë ka falur Fatmir Mediun për të shpëtuar djalin e kryeministrit, kjo Gjykatë ka falur Ilir Metën dhe ka diktuar me këtë zgjedhjen e Guvernatorit, dhe tani po përpiqet të rihapë dosjen Meta dhe të shantazhojë Ilir Metën dhe Dritan Priftin për tu përdorur në zgjedhjen e presidentit. Kjo është shkalla më e lartë dhe më ekstreme e përdorimit të Gjykatës së Lartë në një vend formalisht të lirë. Në regjime diktatoriale, ajo përdoret për të dënuar politikisht kundërshtarët, kurse në regjime të korruptuara si ky i yni përdoret për të ruajtur pushtetin e regjimit përmes shantazheve apo tolerimeve të dosjeve të tyre. Në thelb ajo po bën rolin e shërbëtores së regjimit. Si një gestapo e re e Sali Berishës.
