E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ballkani Perëndimor dhe perspektiva europiane e Shqipërisë

Mediat e huaja shkruajnë këto ditë se ka një përparim politik në Shqipëri dhe në tërë zonën e Ballkanit Perëndimor. Tashmë BE-ja duhet ta mbështesë pozitivisht këtë përparim.

Mediat e huaja e posaçërisht ato të specializuara në çështjet e BE-së e perspektivës së zgjerimit, vijojnë të komentojnë nismën më të fundit europiane të qeverisë shqiptare, të analizojnë perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, si dhe arsyet e mbështetjes së kërkesës së saj. Kështu, ndërsa bën një panoramë politiko-historike të arsyeve se pse Shqipëria kishte mbetur për shumë kohë një vend i harruar, analisti i www.eurosduvillage.eu, Soeren Keil, shkruan: 
Sigurisht se Shqipëria, falë emrit të saj ka fatin që në alfabet të renditet e para në lista të ndryshme, por përsa i përket diskutimeve aktuale mbi Ballkanin Perëndimor, vendi i vogël në brigjet e Adriatikut, luan një rol të dorës së dytë. Robert Kaplan e përshkruante dikur në librin e tij mbi shpirtrat e Ballkanit atë madje si “vendi i harruar“. Por kjo, gjithsesi, tashmë pak arsye ka që të motivohet. Shqipëria, qysh prej vitit 1999 është pjesë e procesit të stabilizim-asocimit, të inicuar nga Bashkimi Europian dhe në vitin 2006 nënshkroi me BE-në një marrëveshje stabilizim asocimi (SAA). Në çështjen e statusit të Kosovës , Shqipëria nisi të marrë një pozicion kyç, pasi shumica e banorëve të Kosovës janë me nacionalitet shqiptar.
Më poshtë autori vijon: Nëse politikanët europianë i dëgjon të flasin mbi zgjerimin europian, kryesisht i dëgjon të flasin mbi shqetësimet rreth ish-republikave jugosllave dhe anëtarësimin e Turqisë në Union. Prej pak kohësh, roli i Serbisë dhe i Kosovës, kanë marrë një domethënie të veçantë në procesin e zgjerimit të BE-së. Një vend nga i cili pothuajse nuk kemi dëgjuar fare më parë është edhe Shqiëpria. Injorimi i këtij vendi, me ç’duket, ka një traditë të gjatë.
Duke vënë theksin edhe tek harresa dhe faji që vetë forcat alate patën pas mbarimit të Luftës së Dytë, autori thekson: Në konferencën e Jaltës, në të cilën para së gjithash Europa u vendos të ndahej në zona të ndryshme influencash,  Shqipëria u harrua. Pas vitit 1961, diktatori komunist Hoxha e çoi vendin drejt një izolimi të plotë, duke u distancuar në mënyrë të njëtrajtshme, si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja. Kur regjimi komunist nisi të rrëzohej, Shqipëria u mbërthye nga anarkia. Do të zgjaste shumë vite, derisa në fund të viteve nëntëdhjetë Shqipëria të rifitonte erën e  shtetit. “Interesi i Europës për Shqiëprinë nuk duhet të vijë vetëm si pasojë e anëtarësisë në procesin e stabilizim-asocizmit, të vlefshëm për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor “ thekson autori në përpjekjen e tij për të shpjeguar se përse shqiptarët nuk duhen harruar. Përkundrazi, thekson ai, është shumë fort në interes të vetë europianëve , të mbajnë një sy drejt Shqipërisë, ta ndihmojnë e ta mbështesin atë në rrugën e saj drejt integrimit në strukturat europiane. Kjo, nga njëra anë duhet mbajtur parasysh, duke u nisur nga situata aktuale që paraqet Shqipëria.
Më poshtë autori bën një sërë konstatimesh e kritikash ku ka vend për përmirësime, duke sjellë në vëmendje luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit e segmente të tjera. “Në fqinjësi të drejtpërdrejtë me Italinë e Greqinë, Shqipëria ka dy dalje direkte me Unionin”, thekson më tej autori i shkrimit. Ai konstaton se “një pjesë e madhe e shqiptarëve të aftë për punë aktivizohet akoma në bujqësi, sepse industria haset më shumë vetëm në zonën Tiranë-Durrës, gjë që ka rezultuar në faktin se për shkak të zbrazjes së zonave të tjera suburbane e fshatare dhe dyndjes rreth kësaj zone, në të dyja qytetet, janë ngritur zona të dendura banimi. Ndërsa thekson faktin se politikisht Shqipëria akoma reflekton një lloj lëkundje për shkak të afrimit të zgjedhjeve parlamentare, por nga ana tjetër përforcon konstatimin se “sigurisht se tashmë ajo ka një qeveri funksionale… dhe se ajo  mban rregullisht zgjedhje, por linjat politike të ndara ndërmjet partive janë pengesa serioze. Këto linja ndarëse rezultojnë, sigurisht, jo nga shumëllojshmëria etnike: Shqipëria, ashtusikurse edhe Sllovenia është i vetmi vend në rajon, ku ka një lloj homogjeniteti të theksuar etnik (95 përqind e banorëve të saj janë shqiptarë etnikë). Në vend të saj, këto linja ndarëse ekzistojnë mes grupimeve të ndryshme të interesit e sferave të ndikimit.
Ndërsa rendit një sërë faktorësh që ngrenë nevojën e ecjes në rrugën e reformave, në vijim, autori i analizës, Soeren Keil, thekson: Pra siç shihet ka shumë arsye për t’ u angazhuar aktivisht, pasi para së gjithash situata atje rrezikon të përkeqësohet, nëse Europa do rrinte duarkryq. Shqipëria ka nevojë për reforma ekonomike afatgjata dhe stabilitet politik, e të dyja këto BE-ja mund t’ i arrijë nëpërmjet vëzhgimit , mbikqyrjes, kondicionalitetit dhe forcimit të interesit për të. Në terma afatgjatë, fati i Shqipërisë duhet të jetë i lidhur me atë të pjesës së mbetur të Ballkanit Perëndimor - rekomandon autori. Reformat politike e ato ekonomike janë të nevojshme edhe në Bosnje, Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Kosovë. Bisedime të përbashkëta mes të gjithë shteteve në Ballkanin Perëndimor, mbi një anëtarësim të ardhshëm në BE, do të sjellin dinamika të reja zhvillimi dhe do të ndihmojnë , të tejkalojhet konkurenca rajonale, shkruan analisti për çështjet europiane, Soeren Keil. “Nuk mund të injorohet se Shqipëria , ashtu sikurse edhe pjesa tjetër e Ballkanit, është pjesë e Europës. Të presësh, derisa këto vende t’ i çojnë përpara reformat, vetëm me iniciativën e tyre, nuk do të ishte një opsion i vlefshëm, pasi zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor, nuk mund të krahasohet më atë kohë kur ajo u zgjerua me Britaninë e Madhe apo me Austrinë, madje as edhe me atë të Spanjës e Polonisë, demokracive te reja nga Lindja, që gjetën stabilitet ekonomik e politik, pasi BE-ja u ofroi atyre ndihmë dhe ata më në fund i pranoi në bashkësinë e vlerave të përbashkëta”, konstaton autori.
Megjithatë situata nuk është dhe aq negative, siç duan ta paraqesin disa kritikë. Shqipëria dhe Kroacia - shkruan ai - qysh prej fillimit të 2009 tashmë renditen tek anëtarët e NATO-s dhe kanë hedhur me këtë edhe hapin e parë në drejtim të integrimit perëndimor. Përveç kësaj, qeveria shqiptare para pak ditësh, bëri edhe kërkesën zyrtare për marrjen e statusit të saj si kandidate. “Pra ka një përparim politik në Shqipëri dhe në tërë zonën e Ballkanit Perëndimor. Tashmë BE-ja duhet ta mbështesë pozitivisht këtë përparim”, përmbyll analizën e vet Keil.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›