Psikologjia antiNato, një nga simptomat e nostalgjisë
Përsiatje për drunjtë anakronikë
E majta shqiptare, sui generis - Që e majta jonë është markë më vete, këtë vetëm fanatikët nuk duan ta kuptojnë. Në këtë arsyetim, ne ndryshojmë nga partitë euroatlantike. Në këto vende janë nxjerrë jashtë publicistikës shkrimet që i bëjnë jehonë diktaturave: qofshin ato nazifashiste, qofshin komuniste. Këta tanët janë të mbrujtur me mendimin dallues se vetëm nazizmi ka qenë një gjëmë. Kurse komunizmi nuk ka qenë i tillë. Madje, përkundrazi, ai ka qenë në dobi të popullit, të shtresave të varfra, të ...etj. etj. Është mbuluar dielli me shoshë. Diskriminimi nuk bëhej në këto kritere. Baza e luftës së klasave ishte: me ne, apo kundër nesh? Dhe kundërshtarët shpesh ishin të tillë se duhej të ishin armiq: T’u arratis vëllai! Mundet që vëllezërit të kishin opinione të ndryshme, apo të ishin në grindje mes tyre (sot po shohim se grinden për një copë gardhi!). Pa e tjerrë më shumë, nazizmi kishte shkaktuar 25 mln viktima, kurse komunizmi 100 milionë. Për më tej, komunizmi ishte i pashoq në dënimin e njerëzve të pafajshëm. Në gjendjet e vështira, këto dënime, përmes torturash për deklarimin e fajësive të paqena, shërbenin për konsolidimin e regjimit. A ka mizorí më të madhe? Më 26 prill 1967, poeti i ri Havzi Nela, gjatë kalimit të kufirit, kishte shkruar në bllokun e tij:“Lamtumirë, Atdhe i dashun, / Po të la, por zemërplasun!”. Në verën e vitit 1988 regjimi i Ramiz Alisë e ndëshkoi me vdekje dhe dënimi u ekzekutua me varje, për ditarët, poezitë dhe prozat e tij (Dosja gjyqësore 9912/1 A). Sot është martir i demokracisë. Ndërkaq kryegjyqtari që dha sentencën e dënimit me varje, ka qenë parlamentar në një sistem demokratik, me mandat të P.S.-së, gjer në kohën kur pati vendin në gjykatën më të lartë të sistemit tonë të drejtësisë! Edhe sot është në atë post!
A kanë ndodhur absurditete të tilla në vendet demokratike? Le të shohim një dukuri domethënëse, në Gjermani.
Cili është Johanes Heester?
Është njëri nga aktorët më të përmendur gjermanë. Para pak kohësh, në moshën mbi 90-vjeçare, duke u shprehur për rininë e tij të hershme në një intervistë, kishte thënë se kishte njohur edhe Hitlerin, në një ekspozitë dhe se disa nga pikturat e tij i ishin dukur interesante.
Mjaftoi kjo, që të ishte bërë thuajse i papranueshëm në skenat, ku recitimet e tij pasoheshin, më parë, me brohoritje të fuqishme. Tanimë filloi ta ndjente veten të mënjanuar. Edhe në një palk skenik të dorës së dytë (në një shkollë, në mos gaboj), pati duartrokitje të vakëta. Gruaja e kritikoi me delikatesë se kishte rrëshqitur në dërrasë të kalbur. Por ai e kishte kuptuar vetë se s’duhej ta përmendte Hitlerin.
Së fundi, doli në një skenë të madhe, me nismën e vet, e tha:
-Të dashur miq! Po dal këtu për t’ju besuar një gabim. Ka ikur koha e atij të cilin e përmenda diku. Jemi në kohën e demokracisë, jo të diktaturës. Unë kam qenë kurdoherë kundër ideologjisë naziste. Pikërisht për këtë s’kishte përse ta zija në gojë atë njeri që na kishte shkaktuar kaq fatkeqësi e mjerime. Tani, që jam në mbarim të jetës, e ndjej veten të pikëlluar dhe nuk do të më tretë dheu po të mos ju kërkoj ndjesë publike... (dhe një vezullim lotësh iu duk në sytë) . Spektatorët u ngritën në këmbë dhe e duartrokitën nxehtësisht.
Johanes Heester e ndjeu veten të rehabilituar. U fut sërish në gjirin e shoqërisë demokratike.
Dy episode të nostalgjisë antidemokratike
Ky është vetëm një episod. Por mjaft kuptimplotë për të nxjerrë mësime të shumta domkracie, nga të cilat ne po mjaftohemi vetëm me dy prej tyre:
1. Ne i kemi vënë këmbën vendimit historik të Asamblesë Parlamentare e Këshillit Europian. Duket se kishte zënë vend ajo dinakëria përdhosëse e atij renegatit të demokracisë, të cilit s’duam t’i përmendim as emrin, i cili kaloi vrik nga e djathta në të majtën. Dhe, me krenari prej megalomani, tha: “Antikomunizmi është bërë, tanimë, demodé!”. Kjo thënie binte ndesh me këshillën që na kishte dhënë miku i madh i kombit tonë, demokrati i shquar polak, Tadeus Masovievski, i cili na kishte porositur: “Bëni dekomunistizimin”. Tani Masovievski jep ndihmesën e tij në dobi të demokracisë, në organet e epërme të BE-së. Kurse ajo krakëllima e korbit të “demodesë” kishte për synim ta ruante të gjallë kolerën nostalgjike të vendit tonë. Po t’i besojmë sivëllait të tij ultrakonformist, Mustafa Nanos, ky sa nuk e tha troç se, pas kapërcimit të vijës së demarkacionit që ndante partinë e parë dygishtore me partinë që kishte në kontingjentet e veta, “për raste emergjente të pushtetgrabitjes, - mëkatarët, sigurimsat, gjytqarë si ata që varën Havziun, - ky Mustafa, po thoshim, - sa nuk e tha açik se iu bënë të ardhurat sa trefishi i një deputeti! Për të majtën na qenka, pra, një mercenar i penës!
Edvin Rama, duhet t’u japë shpjegime, së paku, demokratëve, të përndjekurve politikë, por edhe anëtarëve të PD-së, për atë zjarrin nostalgjik të apoteozës së diktatorit E. Hoxha, në çdo 16 shtator, në Pezë. Apo kujton se jemi perëndimorë, duke përkujtuar diktatorin? Për një të qindtën e asaj që bëri Edvini, e pamë ç’i ndodhi aktorit të mirënjohur gjerman, Johanes Heesterit, në Gjermani. Apo kemi kritere të tjera përcaktuese të demokracisë ne, shqiptarët demokratë në shpirt, që duam një demokraci të ndershme, jashtë nostalgjisë për diktaturën? Prandaj e quajtëm demokracinë tonë të përdhosur nga PS-ja, e cila mbart mëkatin e nxitjes së nostalgjisë totalitare në vendin tonë. Në një shkrim analitik mbresëlënës, Sejdi Peka, shkruan sesi kishte vuajtur bëmat e babait të Ditmir Bushatit, Sulejmanit, sekretarit të parë të partisë, zelli i të cilit kishte bërë që “të mbusheshin kamionët me fëmijë gra e pleq, që transportonin në vapën e Gushtit, familje të deklasuara”. E ky djalë i ri, i përkëdhelur edhe në demokraci, për të cilin Sulejmani i kishte mundësitë që të paguante shuma prej dhjetë miliona eurosh, për studimet jashtë shtetit, na thënka se e ndjen veten krenar që është i biri i Sulejman Bushatit! Madje na qenka edhe i ngarkuari nga E. Rama, për të bërë propagandë zgjedhore në ekranet tona...
Unë do të thosha se shteti ynë, me atë opozitë që kemi, i bën jehonë nga kjo farë opozite atij shteti që mund të përcaktohet si shtet hakmarrës përmes pengjeve! Sejdiu ishte dy vjeç kur duhej të përgjigjej për veprimtarinë patriotike të babait, Iliaz Pekës.
2. Partia Socialiste, fill pas triumfit të dhunës bolshevike për marrjen e pushtetit në vitin 1997, menjëherë e legalizoi Partinë Komuniste shqiptare. Në kriteret e ministrisë së Drejtësisë, që kishte kompetencat ligjore për dhënien e licencave për ushtrimin e veprimtarive politike të partive që kërkonin legalizimin e tyre, ishte edhe ndalimi i propagandës së diktaturave. Prandaj PK-ja nuk e mori të drejtën e veprimtarisë në kohen e PD-së. Por e realizoi atë, pas ’97-s kobzezë të tregishtorëve dhe të flamujve të huaj në krahinat tona! Dhe, në tetëvjeçarin që pasoi, me euforitë e përparimeve imagjinare, shfryu edhe propaganda antiligjore e nostalgjisë, e fotove të diktatorit në muret e ministrisë së Jashtme, në antiamerikanizmin atavik dhe në propagandën antidemokratike të Nexhmijes e të H. Milloshit, në faqet e organeve të shtypit të shkruar dhe të mediave tona televizive.
Alergjia ndaj NATO-s, është shpërfillje ndaj vuajtjeve të bashkëkombësve
Enverizmi, edhe pas “prishjes” me Titon, i ka trajtuar njëlloj kosovarët. Mosbesues, me paragjykimin se vinin në atdheun-amë të dërguar nga UDB-ja, me një qëndrim mizor qysh në çastin e shkeljes së kufirit të përtejmë, për të ardhur në këtë anë.
Një nga librat më të mirë, që e zbërthen në detaje këtë dukuri, është libri “Namik Luci” i Leno Lucit dhe Esat Myftarit. (tetor, 2006). Janë pesëdhjetë shkrime intelektualësh në këtë libër, që hapin një panoramë të gjerë të keqtrajtimit të kosovarëve që braktisin vendin e tyre për t’u shpëtuar përndjekjeve të UDB-së dhe për të dhënë diturinë e tyre, “të lirë” në shërbim të atdheut. Namiku ishte një shkencëtar, i përgatitur në Institutin e Fizikës Bërthamore. Uzina e superfosfatit në Laç, mban gjurmën e inovacioneve të tij. Ministria e Industrisë dhe ajo e Minierave ia kishin nevojën dhe e thërrisnin për zgjidhjen e problemeve teknike në Kombinatin e Elbasanit dhe në uzina të tjera të vendit. Rrinte tërë ditën mbi librat shkencorë, për të zgjidhur probleme të ndërlikuara inxhinierike. E, megjithatë, të ngarkuarit e organeve të sigurimit duhet të përpilonin një aktakuzë, si kosovar që kishte thyer kufirin, për të ardhur në Shqipëri e për të dëmtuar Fanarin Ndriçues të të vetmit vend të socializmit triumfator antirevizionist! Më 28 prill 1984 ia ngulën hekurat gjer në mish dhe e çuan në qeli. E akuzuan, madje, edhe si përgatitës të një komploti kundër E. Hoxhës! E dënuan rëndë. Do të kishte bërë dy dhjetëvjeçarë në burg (nëse nuk do të kishte pësuar edhe ndonjë ridënim). Nuk iu bind udhëzimeve që të mos takonte kosovarët përreth, kudo që shkonte, i ngarkuar me punë nga Ministria. Kosovarët duhet të izoloheshin!
U lirua, për hir të proceseve demokratike, më 6 shkurt të vitit 1991. Doli i dërmuar e i sfilitur trupërisht, por entuziast për shembjen e diktaturës. Tani, po, do të merrej edhe me politikë. U zgjodh anëtar i kryesisë së PD-së të rrethit, si edhe anëtar i Këshillit të kësaj force politike, si përfaqësues i ish-të përndjekurve politikë. Por nuk e gëzoi këtë epokë të re veçse 7 vjet, pas daljes nga burgu. Vdiq para kohe. Njëri ndër kapitujt më mizorë të komunizmit enverist është trajtimi barbar i vëllezërve tanë kosovarë. Karafilat e Kosovës mbi varrin e diktatorit, janë njëra ndër hipokrizitë e pambarueshme të Nexhmijes!
Namiku vdiq më 7 mars 1998. Në faqen 207 të librit të bashkëshortes trime të Namikut, Lenos, lexojmë: “Më 8 mars pati lule, dhimbje, lot, mirënjohje, kurajë dhe qëndresë për të nderuar të gjithë ata që na nderuan, që nga më të thjeshtët e deri te Sali Berisha, Azem Hajdari e të gjithë drejtuesit e tjerë të lartë. Shqipëria e Kosova atë ditë ishin bashkë...”.
Namiku, - thamë – vdiq i gëzuar, por nuk e jetoi dot gëzimin e madh të çlirimit të Kosovës, që do të vinte vetëm pas një viti. NATO u bë idhulli i shqiptarëve të Tiranës, të Prishtinës, të Shkupit, të Malit të Zi, të Amerikës, të arbëreshëve të Italisë Jugore e të alvanitëve të Greqisë. Shqipëria dhe diaspora në festë!
Hilari Klintoni, o enveristë, i do kosovarët më shumë se ju!
Thuhet se vendi ynë e do NATO-n më shumë se shumica e vendeve të anëtarësuara në këtë organizatë euroatlantike: 94-96 %. Shtypi perëndimor, gjatë bombardimeve të NATO-s në Kosovë, për ta çliruar atë nga kthetrat e Sllobodan Millosheviçit e nga paramilitarët e Arkanit, të Mlladiçit e të të gjithë vampirëve të tjerë serbë, - që s’u nginë ndonjëherë me gjak shqiptari, - shkroi edhe për veprimtari antiNATO, me protesta “paqeruestësish” në bazat e aviacionit të NATOS në Italinë Jugore. Kjo kundërvënie u duk edhe në disa vende të Greqisë. U qanin hallin disa dëmeve mikroskopike të serbëve dhe nuk shihnin holokaustin kundër 1 milion shqiptarëve.
Me këtë kor antishqiptar bashkohen edhe disa zëra të vetmuar, që telefonojnë në emisionet e bashkëbisedimeve të Bashkimit dhe të Elianës.
Disa nga këta krakëllima korbash bënin hesape të hises së taksave që duhet të paguanim ne, për NATO-n. Kuptohet se janë ata drunj anakronikë, që nuk kanë asnjë ndjesi për Kosovën. Siç ishte edhe antikombëtari Enver Hoxha. Ndonjëri pati edhe guximin e vjelljes së epiteteve, sikur të ishim në kohën e Enverit: Organizatë imperialiste! Kuptohet se patën kundërveprim të menjëhershëm nga të gjithë bashkëbiseduesit e tjerë. - Po për Paktin agresiv të Varshavës, si s’pate ndonjë kundërshtim, kur Enveri yt ishte në unison me këtë Pakt? Ende s’e ke marrë vesh se Kosova u çlirua nga NATO?
Në librin e Hílari Klintonit, “Bisedojmë për Kosovën “, lexojmë se Kongresi Amerikan caktoi 800 milionë dollarë ndihma humanitare për vëllezërit tanë kosovarë. (f. 63). Një paketë emergjence, e propozuar nga presidenti Klinton, kapte shumën e 6 miliardë dollarëve. Zonja Klinton u bë veprimtare e sigurimit të pakove prej 25 milionë $ ndihmave, nga OJQ-të amerikane. Në faqen 60, Hilari shkruan: “Kemi shikuar pamjet e tmerrshme të fëmijëve nëpër trena, të fëmijëve të ndarë nga familjet, me fëmijëri, me shtëpi dhe me kujtime të grabitura”.
Ju, o komunistë, s’keni parë asgjë! Keni po atë dashuri kombëtare, si babai juaj, Enveri!