E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Ballkani i Hapur”, Rama: Lufta e ka bërë nismën më të domosdoshme! Problemet e së shkuarës zgjidhen përmes afrimit

“Lufta në Ukrainë e bën nismën Ballkani i Hapur edhe më të domosdoshme”, kështu deklaroi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ditën e dytë të Samitit të kësaj nisme rajonale që u zhvillua në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Ndalur te konflikti mes Serbisë dhe Kosovës, Rama dha një mesazh për Prishtinën, ku tha se problemet e së shkuarës mund të zgjidhen vetëm përmes afrimit.

 “Ky është një rast për të folur për Ballkanin e Hapur si në Ballkanin e Hapur dhe nuk mund të vijmë në një takim të Ballkanit të Hapur dhe të flasim siç jemi mësuar kur shkojmë në Bruksel. Do flasim shumë hapur dhe duhet ta ruajmë dhe fuqizojmë këtë karakteristikë pa patur frikë se nga e folura hapur do kemi më shumë probleme se arsye për tu bashkuar. Ne mblidhemi për herë të parë një samit të Ballkanit të Hapur që kur ka filluar lufta në Ukrainë. Kjo luftë e bën Ballkanin e Hapur një domosdoshmëri edhe më të madhe seç ishte para se kjo luftë të fillonte. Ballkani i Hapur është i rëndësishëm për njerëzit tanë. Ne e dimë marrëdhënien speciale të Serbisë mes Rusinë, nuk kemi pritur luftën në Ukrainë për të mësuar se mes dy vendeve ka një histori, nuk kemi pritur luftën për të ditur se mes Serbisë dhe Kosovës ka një konflikt të pazgjidhur. Por mes qëndrimit me kurriz nga e ardhmja dhe të kthimit të syve nga e ardhmja ne kemi zgjedhur këtë të dytën dhe këtë do e bëjmë pa mbyllur sytë ndaj probleme të pazgjidhura, por duke kuptuar se mund të zgjidhen vetëm duke folur”, tha Rama.

Kreu i qeverisë risolli në kujtesë përplasjen mes SHBA-së e Japonisë, apo atë mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara vite më parë, ku tha se vendet kanë parë tashmë nga e ardhmja dhe nuk kanë ngelur peng i konflikteve të mëparshme. Sipas Ramës, “Ballkani i Hapur” është një iniciativë që bëhet për popujt.

“Ku janë sot Franca dhe Gjermania?  çfarë po bëjnë Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara pas një armiqësie që është e pakrahasueshëm për nga gjaku i derdhur dhe aktet e çmendurisë me asgjë që ne kemi parë këtu, janë bashkë për të përfituar reciprokisht nga rruga e të ardhmes”, theksoi kryeministri.

Rama u ndal edhe te pasojat e luftës në Ukrainë, ku deklaroi se krizat e prodhuara mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit mes vendeve. Ai përmendi problemin me furnizimin me drithë dhe po ashtu krizën e energjisë elektrike, teksa paralajmëroi se problem nuk do të jetë më çmimi, por fakti se mund të mos ketë energji në treg.

“Ne sot jemi në një teh thike të gjithë sa i takon energjisë, në ndërkohë që në horizont është një dimër ku problemi nuk do jetë çmimi i energjisë, por problemi që nuk do kemi fare për të blerë. Nuk kemi ne luksin të rrimë me kurriz nga njëri-tjetri dhe të merremi me retorikë. Njësoj si me grurin do provohet se sa e vërtetë është që Ballkani i Hapur nuk është as i imi, as i Vuçiç e i askujt, por i njerëzve. Ballkani i Hapur është mekanizëm për t’i përballuar më mirë krizat që nuk i nisim ne e nuk i kemi në dorë ne”, tha Rama.

Këtij samiti të Ballkanit të Hapur, për herë të parë iu bashkuan edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, ndërsa vetëm Kosova mungonte nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›