Integrimi në BE, deputeti gjerman i CDU: Nëse Bullgaria s’heq veton ndaj Maqedonisë së Veriut, Tirana të ndahet nga Shkupi

Nëse Bullgaria nuk heq veton e vendosur ndaj Maqedonisë së Veriut dhe të lejojë hapjen e negociatave në BE, atëherë Tirana duhet të ndahet nga Shkupi në rrugëtimin e saj drejt familjes europiane. Kështu u shpreh kryeraportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Grupit Parlamentar të CDU/CSU në Bundestag, Peter Beyer, i cili e konsideroi të turpshme për BE ngërçin ku prej vitesh ndodhen Shqipëria dhe Maqedonisë së Veriut për shkak të vetos bullgare.
“Përshëndesim hapat e arrira deri tani nga Shqipëria. Kemi një situatë të turpshme për BE në atë që po ndodh me Bullgarinë. Shqipëria s’duhet të vuaj në këtë proces, ka ardhur momenti të zhbllokohet kjo situatë dhe për këtë i bëj thirrje Bullgarisë të tërheq këtë Bllokadë. Të ndajmë rrugën e Shqipërisë nga ajo e Maqedonisë”, tha deputeti gjerman.
Nëse ‘dita jeshile’ nuk jepet as këtë qershor për hapjen e negociatave në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kryeministri Edi Rama ka bërë të qartë se Tirana do të kërkojë ndarjen nga Shkupi në këtë rrugëtim, dhe këtë qëndrim e ka mbështetur edhe deputeti i CDU, Peter Beyer.
Që nga nëntori i vitit 2020, Bullgaria ka bllokuar fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në BE me Maqedoninë e Veriut për mosmarrëveshjet dypalëshe mbi gjuhën dhe historinë. Veto bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka bllokuar gjithashtu Shqipërinë pasi të dyja vendet ecin së bashku në rrugën drejt hapjes së negociatave me BE.
/rtsh.al/