Linjë e gjelbër Shqipëri-Maqedoni e Veriut për lehtësimin e tregtisë! Rama: Rezultat konkret i ‘Open Balkan’

Nisma ‘Open Balkan’ ka nisur të jap frytet e para konkretet që lidhen me tregtinë dhe bizneset mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në pikën kufitare të Qafë Thanës është krijuar ‘linja e gjelbër’ pjesë e marrëveshjeve të Ballkanit të Hapur, që lehtëson tregtinë dhe njohjen reciproke të Operatorëve Ekonomik të Autorizuar, ku bëhet fjalë për kalimin e shumë kamionëve që do të kenë më pak kontrolle, më pak burokraci dhe nuk do të rrinë me orë të gjata në doganë.
Në inspektim e kësaj linje të gjelbër ishte edhe kryeministri Edi Rama, i cili ndaloi aty rrugës për në Ohër ku do të marrë pjesë në samitin e radhës të “Open Balkan”.
Rama tha se kjo linjë e gjelbër ishte një rezultat konkret i nismës ‘Open Balkan’ dhe një përgjigje për të gjithë kritikët që shikojnë kundër bashkëpunimit dhe zhvillimit. Teksa shprehu bindjen se këto rezultate konkrete do të shtohen gjithmonë e më shumë përmes ‘Open Balkan’, Rama shtoi se tregtia do të përfitojë lehtësira të shumta duke pasur kushtet si të një hapësira evropiane ndërveprimi.
“Përmes kësaj linje të gjelbër bëhet konkrete dhe Ballkani i Hapur dhe për t’i dhënë përgjigje fantazive dhe konspiracioneve, paranojave edhe intoksikimit të propagandës që shkon kundër bashkëpunimit , paqes dhe zhvillimit. Nga ana tjetër besoj që sa më shumë shembuj konkret të jenë para syve dhe veshëve aq më e qartë bëhet gjithçka. Është fantastike që ne po arrijmë të lehtësojmë kaq shumë dhe do të arrijmë të lehtësojmë ata që prej shumë vitesh bëjnë tregti me këto vendet dhe prej shumë vitesh përballem me burokracitë që nuk kanë asnjë të përbashkët me hapësirën evropiane të ndërveprimit”, tha Rama.
Pasditen e kësaj të marte dhe ditën e nesërme (8 qershor) do të zhvillohet samiti i “Open Balkan” në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Të pranishëm në këtë takim, përveç tre shteteve themeluese, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të jenë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Mes vendeve pritet të nënshkruhet marrëveshja për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor në fushën e njohjes reciproke të diplomave dhe notave shkencore të lëshuara në institucionet e arsimit të lartë dhe të tjera institucionet e autorizuara, memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim në fushën e turizmit në Ballkani Perëndimor, memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin kulturor në Ballkanin Perëndimor dhe memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin e administratave tatimore në Ballkanin Perëndimor.
/rtsh.al/