“Ballkani i Hapur”, Escobar: Mbështesim nismën, të bëhen pjesë të 6 shtetet! Varhelyi: Mund të përshpejtojë integrimin në BE

SHBA dhe BE mbështesin nismën rajonale “Ballkani i Hapur”, ky ishte mesazhi që dhanë sot në samitin në Ohër i dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Escobar, përmes një video mesazhi, kërkoi që edhe Kosova të bëhet pjesë e kësaj nisme, teksa theksoi se kjo nismë që mbështetet nga SHBA duhet t’i përfshijë të gjashta shtetet.
“Në do t’ju ndihmojmë që ju ta ndërtoni të Ardhmen. Rajoni ka potencial që të jetë qendër e energjisë, që do të ndihmojë të luftojmë ndryshimet klimatike. Ka kapacitet të jetë qendër e gazit natyror. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës që ka rritjen më të madhe. Ne do t’i lehtësojmë punët. SHBA-të e përkrahin këtë nismë të ‘Ballkanit të Hapur’. Ne i përkrahim të gjitha incentivat ekonomike që afrojnë vendet dhe promovojnë paqe dhe zhvillim. Secila iniciativë për një integrim ekonomik duhet të përfshijë të 6 shtetet”, tha ai.
Nga ana tjetër, Varhelyi deklaroi se “Ballkani i Hapur” është një mundësi e mirë për rajonin dhe se mund të jetë një mundësi edhe për përshpejtimin e rrugës drejt integrimit në BE.
“E marr këtë ftesë si një ftesë që BE të jetë pjesë e këtij procesi, sepse mendoj se kjo iniciativë nuk është vetëm e mirë dhe se të gjithë e mbështesin, por është mundësi me të cilën përballet rajoni dekada të tëra, normalisht mund të jetë mundësi për përshpejtimin e rrugës drejt BE”, tha ai.
Bosnjë Hercegovina dhe Mali i Zi, që merrnin pjesë për herë të parë një samit të “Ballkanit të Hapur”, deklaruan se shumë shpejt do të bëhen edhe ata pjesë të kësaj nisme.
Kreu i Këshillit të Ministrave të Bosnjë Hercegovinës, Zoran Tegeltija, u shpreh se Ballkani i Hapur mund të iniciojë një potencial të rëndësishëm ekonomik për Rajonin.
“Jam i sigurt të Ballkani i Hapur mund të iniciojë një potencial të rëndësishëm ekonomik të Rajonit. Jam i sigurt se Bosnjë Hercegovina do të bëhet anëtare e Ballkanit të Hapur. Fakti që u mbështet nga SHBA më jep mundësi të besoj se do të jetë shumë shpejt pjesë e Ballkanit të hapur. Po përballemi me rritjen e papërballueshme të çmimeve dhe mendoj se situata është e ngjashme”, tha Tegeltija.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç theksoi se duhet një dialog i hapur ndërmjet shteteve që të krijohet edhe besimi i ndërsjellë.
“Çdo nisme që shtyn drejt progresit do mbështet nga Mali i Zi. Për mua ne duhet të kemi dialog dhe kjo do të na shpie në besimin e ndërsjellë dhe së bashku të ndërveprojmë me aktivitete që shtynë drejt regresit në rajon. Politikat e mosrespektimit e theksimit të politikave të mos vazhdueshme na ka mbajtur deri këtu. Unë kam kënaqësi që edhe administrata e mbështet këtë nisme. Na duhet dialog i hapur, të krijojmë politika të reja. Në Ballkanin Perëndimor meritojmë një histori që të tregojë të gjitha të mirat tona. Ne duhet të ndryshojmë mentalitetin tonë”, theksoi ai.
Ndërkohë, Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, tha se nisma “Ballkani i Hapur” nuk mund të ndalet. Ai deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë janë të mirëserdhur t’i bashkohen nismës, teksa në samitin e radhës që do mbahet në Beograd, ku do formohen grupe pune për zgjidhjen e problemeve me furnizimin me ushqime, Vuçiç i bëri ftesë edhe Prishtinës.
“Ne arritëm të zgjidhim probleme që qëndronin para nesh prej 50 apo 60 vitesh. Ne nuk kemi asnjë kërkesë ndaj askujt përveç se të jemi miq dhe të bashkëpunojmë për të mirën e vendit tonë. Kjo iniciativë nuk mund të ndalet. Të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimorë janë të mirëseardhur. Ti përparojmë marrëdhëniet tona. Në takimin e ardhshëm propozoj të jetë në Serbi që të formojmë grupe pune që do kujdesen si ti kalojmë problemet e furnizimit me ushqime, si të ndihmojmë njëri-tjetrin të kalojmë dimrin. Janë të ftuar të marrin pjesë në këto grupe edhe përfaqësuesit e Prishtinës. Qëllimi është të përshpejtojmë marrëveshjet e tona të përbashkëta”, tha ai.
/rtsh.al/