Ballkani synon të përmbushë strategjinë e zhvillimit BE 2020
Vendet e Ballkanit punojnë për një plan të zhvillimit të përbashkët në një përpjekje për të përmbushur strategjinë BE 2010
Bashkëpunimi rajonal si një bazë për zhvillimin ekonomik qëndron pas një strategjie të zhvillimit të përbashkët që vendet e Ballkanit janë duke zhvilluar si një reagim ndaj BE 2020, një plan 10-vjeçar i propozuar nga Komisioni Evropian në vitin 2010 për të çuar përpara ekonominë e BE-së. Përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit perëndimor dhe Turqisë u mblodhën në fund të muajit të kaluar në Shkup për të nisur dialogun mbi objektivat e BE 2020. BE 2020 nxit "zhvillimin e zgjuar, të qëndrueshëm, gjithëpërfshirës" me bashkërendim më të madh të politikës kombëtare dhe evropiane. Ajo përcakton pesë përparësi kryesore: punësimin, kërkimin e zhvillimin, dhe novacionin, ndryshimin e klimës e energjinë, arsimin, luftën kundër varfërisë e përfshirjen shoqërore. Shumica e synimeve në strategji kanë një sferë të gjerë për vendet e Ballkanit, por zyrtarët kanë besim se përmbushja e standardeve evropiane nuk është e pamundur. Kjo është një axhendë ambicioze, por pa synime ambicioze nuk mund të arrihen rezultate të mira. Mendoj se vendet e rajonit kanë aftësitë për të dhënë rezultate, nëse mobilizohen mirë", tha Teuta Arifi, zëvendës kryeministre maqedonase për çështjet evropiane. Strategjia e BE-së parashikon që 75 përqind e personave nga 20 deri në 64 vjeç në bllok të jenë të punësuar deri në vitin 2020; 3 përqind e PBB-së do të shkojë për kërkime, zhvillim e novacion; emetimet e gazit serë do të ulen me 20 përqind në krahasim me 1990-ën; 20 përqind e energjisë gjithsej në BE do të vijë nga burimet e rinovueshme dhe do të ketë një rritje prej 20 përqind në efektshmërinë e energjisë. Në arsim, strategjia planifikon të pakësojë nivelin e lënies së shkollës në nën 10 përqind dhe të ketë të paktën 40 përqind të personave nga 30 deri në 34 vjeç që përfundojnë arsimin e nivelit të tretë. Sipas strategjisë së BE-së, deri në vitin 2020, të paktën 20 milionë më pak njerëz do të jenë brenda ose pranë nivelit të varfërisë dhe përjashtimit shoqëror. Rajoni është ende larg nga përmbushja e këtyre qëllimeve, tha Radmila Shekerinska, ish-zëvendës kryeministre maqedonase. Sipas saj, rajoni ende vuan nga struktura e keqe arsimore, investime të pakta për novacione, varfëria dhe papunësia e lartë. "Për shembull, Maqedonia tani investon vetëm 0,1 përqind të PBB-së në kërkim dhe zhvillim. Edhe nëse e përmirësojmë këtë, problemi më i madh do të jetë padyshim papunësia. Treguesi thotë se 75 përqind e popullsisë së moshës 20 deri në 64 vjeç duhet të punësohet. Në Maqedoni, ky nivel është 48 përqind, në Serbi afërsisht 49 përqind, në Shqipëri 60 përqind ... kështu që jemi larg", tha Shekerinska.
Përmbushja e objektivave, megjithatë, nuk është një zgjedhje. Është një nevojë për të gjitha vendet që janë pjesë e familjes evropiane. Si një vend kryesues në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Maqedonia propozoi transformimin e Strategjisë BE 2020 në një grup përparësish të përbashkëta të pajtueshme me realitetet në Ballkan. Një grup prej nëntë objektivash për rajonin u mbështet nga anëtarët gjatë një takimi të zhvilluar në Sarajevë në tetor. Synimet e propozuara për Strategjinë Evropa Juglindore 2020 përfshijnë rritjen e vlerës totale të mallrave dhe shërbimeve të rajonit, uljet e deficitit tregtar dhe përshkallëzimin e tregtisë ndër-rajonale të mallrave me më shumë se 200 përqind. "Evropa është duke kaluar një fazë ndryshimi dhe ekziston një nevojë për të ruajtur ritmin e këtyre ndryshimeve", tha Stefano Sanino, drejtor i përgjithshëm për zgjerimin në Komisionin Evropian.