E Diel, 1 Nëntor 2026

Siria mes dëmeve politike, sociale dhe humanitare

08-12-2012 / Nga Ilirian Dahri

Sipas lajmeve të fundit të agjencive të ndryshme në periferi të Damaskut dëgjohen bombardime të fuqishme që vijnë prej avionëve ushtarakë dhe artilerisë. Shpërthime të shpeshta që vijnë më së shumti nga pjesa jugore e qytetit sirian. Duket se diktatorit po i vjen fundi dhe sipas amerikanëve rënia e Assad-it është shumë e afërt. Në fakt rebelët janë fare pranë qytetit dhe duket se edhe Bashar tashmë është i vetëdijshëm se koha po i mbaron. Ndërkaq sipas gazetës Haaretz, zv/ministri i Jashtëm, Faisal Al Miqdal, ka kryer disa udhëtime në vende mike (si Ekuador, Kuba dhe Venezuela) duke kërkuar strehimi politik për Assad. Nato ka vendosur përforcimet e saj në Turqi e shqetësuar se Assad  mund të përdorë armët kimike, sepse sipas Klintonit, regjimi në dëshpërim e sipër mund t’i përdorë ato. Edhe sekretari  Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon i ka dërguar një letër presidentit Assad që mos t’i përdorë armët kimike sepse “do të ishte një krim me pasoja katastrofike”. Do të jetë fundi i një diktatorit Assad? Pas Milosheviçit, Sadamit, Mubarakut, Gedafit ndodhta tani është pikërisht radha e Bashar Assad. Ndoshta shumica e vendeve nuk do të pranonte një njeri si Assadi (ndoshta ndonjë shtet si Ekuadori apo Venezuela mund të pranojë kërkesën e tij për strehim politik) sepse kjo do t’u sillte probleme me vendet e tjera të arenës ndërkombëtare. Duke parë fundin e Gedafit dikatori sirian ka shumë mundësi që të zgjedhë ikjen nga Siria sepse nga ana tjetër nuk ka alternativa të tjera, ose duhet të lërë pushtetin ose do të përfundojë i vrarë si dikatorët e tjerë. Hipoteza e parë është se mund të vritet nga anëtarët e klanit alauit, gjeneralët që ka lënë në linjën e parë të luftës kundra rebelëve edhe pse shumica e tyre ndërkaq ka dezertuar. Për shumë prej mbrojtësve të regjimit të tij ikja e diktatorit do të kishin pasoja të rënda dhe fatale për jetët e tyre. Me apo pa presidentin ndoshta alauitët duhet të vazhdojnë luftën e tyre kundër rebelëve dhe kjo do ta shpinte akoma dhe më tepër Sirinë në një luftë të egër civile. Natyrisht në rajon problemet nga Siria do të kalonin në vendet e tjera përreth. Bashkimi Europian po kërkon me ngulm që të kufizohen dëmet politike, sociale dhe humanitare që mund të vinin prej konfliktit sirian. Në fakt për këtë qëllim ka folur edhe ministri i Jashtëm Italian, Xhulio Terci, në një takim me kryeministrin e Libanit, Najib Mikati të zhvilluar në Romë. Gjatë bisedës kushtuar prespektivës së krizën siriane sipas Ministrisë së Jashtme italiane është folur edhe për pasojat dramatike humanitare të situatës në Siri. Nga ana tjetër deri tani në Liban ndodhen rreth 130 mijë refugjatë sirianë dhe sipas Tercit dhe Mikatit kjo është një emergjencë që mund të ketë pasoja negative për perspektivën e ekonomisë libaneze. Natyrisht edhe turizmi do të dëmtohej  natyrshëm edhe investimet. Vendet europiane janë të kujdesshme dhe me sytë e kthyer nga Siria. Europa do të kërkonte një zgjidhje të shpejtë dhe pa gjakderdhje. A do të ndodhë kështu? Ndoshta diktatori po kërkon të përdorë armët vdekjeprurëse që përdori edhe Sadami kundër kurdëve. Rebelët përparojnë dhe kërkojnë më me forcë  rrëzimin e dikatorit Assad duke masakruar madje edhe popullsinë e pakët që mbështet diktatorin i cili nga ana e tij kërkon të mbrojë kryeqytetin dhe ndoshta pikërisht për këtë po bombardon rrethinat e kryeqytetit. Amerikanët kanë marrë të gjitha masat e duhura. Skuadrat janë të gatshme në aeroplanmbajtësen Eisenhower ndërsa në disa qytete turke ndodhen në pritje avionët amerikanë. Edhe në Mesdhe ka lëvizje ushtarake. Flitet se  në rast se situata përkeqësohet amerikanët mund të godasin depozitat e armëve kimike dhe me anë të skuadrave speciale mund të marrin kontrollin e bazave ku ndodhen armët kimike. Natyrisht veprimet e Nato-s do të jenë në bashkëpunim të ngushtë edhe me vendet arabe. Bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i japë fund masakrës siriane. Në luftën civile siriane kanë humbur jetën mbi 40 mijë njerëz për mos të folur pastaj për  refugjatët e shumtë të strehuar në vende si Jordania, Libani dhe  Turqia.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›