Balluku: 16 miliardë euro investime të huaja në vendin tonë

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh sot në prezantimin e projektit “OSHEE Charge”, se energjia shqiptare renditet mes sektorëve me performancën më të mirë në raportin e fundit të Bashkimit Evropian.
Në aktivitetin ku të pranishëm ishin edhe Kryeministri Edi Rama dhe administratori i kompanisë OSHEE Group, Enea Karakaçi, Balluku tha se progresraporti i fundit i BE-së, ka kaluar bazuar në mbi 40 masa të vlerësuara, ku energjia ka marrë vlerësimin “progres i mirë”.
“’Progres i mirë’ i dhënë për vitin e dytë radhazi që pa dyshim na bën krenarë dhe pasqyron të gjitha përpjekjet e bëra nga secili prej jush në këtë sektor, nga elektriçisti dhe deri te drejtuesit e sektorit, apo edhe rendi që ne kemi ndjekur gjatë gjithë periudhës sa i përket kuadrit ligjor dhe gjithçka tjetër ka sjellë këtë rezultat. Raporti thekson si kontributor për këtë vlerësim, përafrimin me kuadrin ligjor me acquis-n e BE-së, avancimin në liberalizimin e tregut, ndarjen funksionale të operatorëve. Një proces i gjatë që kemi bërë në vitin 2019 me shumë pikëpyetje se si do t’ia dilnim me kompanitë e ndara. Sot, OSHEE funksionon si kompania-mëmë e cila merret me gjithë pjesën administrative të mbarëvajtjes së sektorit, por kemi edhe krijimin e kompanive të cilat sot po forcohen. Do të krijohen dhe kompani të tjera, siç është ajo e sektorit të energjisë së rinovueshme”, tha Balluku.
Balluku nënvizoi në fjalën e saj, se është vlerësuar integrimi rajonal sa i përket funksionalitetit të bursës në energji dhe bashkëpunimi me tregun e përbashkët me Ballkanin Perëndimor.
Një element tjetër, sipas Ballukut, është edhe zhvillimi i burimeve të rinovueshme përmes ankandeve transparente dhe rritjes së pjesëmarrjes private në prodhimin e energjisë së rinovueshme në vendin tonë.
“Sipas raportit, progres është shënuar dhe në eficiencën e energjisë me forcimin e kuadrit ligjor dhe përditësimin e planit kombëtar për energjinë dhe klimën, si dhe diversifikimin e furnizimit, që kanë përmirësuar sigurinë energjetike në vendin tonë”, vijoi ajo.
Ministrja Balluku pohoi se prioritet në vazhdim janë miratimi i planit kombëtar për energjinë dhe klimën, liberalizimi i plotë i tregut, bashkimi i tregut me vendet fqinje dhe përgatitjen e një tranzicioni të gjelbër në përputhje me objektivat e BE për dekarbonizimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
“Energjia shqiptare renditet mes sektorëve me performancën më të mirë në këtë raport të BE. Ky është një moment për të bërë një bilanc tjetër të rëndësishëm, atë të kontributit real të sektorit energjetik në zhvillimin ekonomik të vendit”, tha Balluku.
“Një raport i Bankës së Shqipërisë në mesin e vitit 2025, për sa i përket kontributit të energjisë në investimet e huaja, shprehet se investimet e huaja në Shqipëri kanë arritur 16 miliardë euro. Por, energjia është në vend të parë si kontributor kryesor në investimet e huaja në vendin tonë. Në vend të dytë është sektori i nxjerrjes, të dy këto sektorë të portofolit të MIE. Sot janë 16 miliardë euro investime të huaja në vendin tonë, mbi 250% më shumë krahasuar me një dekadë më parë. Sa i përket energjisë, kontributi në valutë si investim i huaj ka rritur rreth 3,72 miliardë euro”, tha Balluku.
Sipas Ballukut, vetëm në pesëvjeçarin e fundit jemi rritur me 52% në investimet e huaja vetëm në sektorin energjetik, ndërsa sektori i nxjerrjes ka rreth 2,60 miliardë euro, ose 162% më shumë se pesë vite më parë.
Balluku tha se inovacioni mbetet busulla e mandatit të katërt qeverisës dhe synimi është që përmes inovacionit të ketë zgjerim të shërbimeve dhe produkteve në çdo sektor.
/e.i/r.e/a.f/