Yzeiraj: Pr.buxheti 2026 katër fokuse, kryesore rritja e mirëqenies dhe mbrojtjes sociale

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj prezantoi sot në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik projektligjin për “Për buxhetin e vitit 2026”, ku ishin të pranishëm vetëm deputetët e mazhorancës, pasi opozita i ka bojkotuar sot punimet e komisioneve parlamentare.
Yzeiraj tha se “ky projektbuxhet është më i larti në histori, por gjithashtu adreson një sërë prioritetesh dhe reformash që kishin kohë që ishin diskutuar dhe adresuar nga forca jonë politike”.
“Ky projektbuxhet ka 4 fokuse kryesore. E para dhe kryefjala e padiskutueshme e këtij buxheti është rritja e nivelit të mirëqenies dhe mbrojtjes sociale për qytetarët, garantimi i një rritje ekonomike të qëndrueshme, sigurimi i një konsolidimi fiskal, investime dhe reforma që përshpejtojnë procesin e integrimit europian”, tha Yzeiraj.
Ky projektbuxhet, vijoi Yzeiraj, parashikon një nivel total shpenzimesh prej 886 miliardë lekësh, duke ruajtur ekuilibrin mes qëndrueshmërisë fiskale nga njëra anë dhe nevojës për të mbështetur zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm me integrimin europian të vendit nga ana tjetër.
Zv.ministri Yzeiraj u shpreh se “kryefjala e këtij projektbuxheti është mirëqenia sociale duke vijuar më tej me një sërë investimesh të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit”.
Sipas tij, shtylla themelore e buxhetit është reforma e pensioneve.
“Kjo reformë do të nisë vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030. Duke filluar nga janari 2026 përmes mbështetjes buxhetore, pra jo vetëm përmes të ardhurave që vijnë nga skema e kontributeve të pensioneve ne do të zbatojmë një kompensim të ardhurash për të gjithë pensionistët bazuar në kategorinë e pensionit që përfitojnë. Më konkretisht, 1800 lekë në muaj për pensionet urbane me vite të plota pune; 800 lekë në muaj për pensionet urbane të pjesshme; 1000 lekë për pensionet rurale, ata të dalë në pension para vitit 2014; 7 mijë lekë në muaj, për pensionet familjare dhe 6 mijë lekë në muaj për pensionet e invaliditetit të punës”, nënvizoi Yzeriaj.
Zv.ministri Yzeiraj u shpreh se “kjo ndërhyje synon një rritje graduale të pensioneve deri në 2030 për ta arritur nivelet e mëposhtme: 40 mijë lekë në muaj për pensionet urbane të plota, nga 27 mijë aktualisht; 22 mijë lekë për pensione urbane të pjesshme; 18 mijë lekë për pensionet mesatare rurale; 18 mijë për pensionet rurale familjare dhe 30 mijë lekë për pensionet e invaliditetit. Efekti financiar i parashikuar për këtë masë në 2026 është parashikuar 10 miliardë lekë, ose përafërsisht 100 milionë euro, e cila do të mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit. Në fund të mandatit në periudhën 2030 ky efekt do të jetë 52 miliardë lekë, ose 520 milionë euro dhe në total për periudhën 2026-2030 është një kontribut prej 1,7 miliardë euro që vjen tërësisht nga buxhetit i shtetit në shtesë të përfitimeve që vijnë nga skema aktuale”.
Për vitin 2028, theksoi Yzeiraj, paga minimale parashikohet të arrijë në 60 mijë lekë, e shoqëruar me indeksim sipas inflacionit.
“Duke filluar nga 1 janari 2026, paga minimale për efekt të kontributeve shoqërore do të rritet me 10.000 lekë, duke arritur në 50.000 lekë, një rritje me 25% nga niveli aktual. Nga kjo rritje parashikohet të përfitojnë 307.850 të punësuar në sektorin publik dhe privat. Ndërsa planifikimi afatmesëm është për ta çuar pagën minimale në 60.000 lekë në vitin 2028 dhe 70.000 lekë deri në fund të mandatit”, tha Yzeiraj.
Një tjetër risi i këtij projektbuxheti, vijoi Yzeiraj, është zbatimi i indeksimit periodik të pagave në administratën publike, duke e bërë sistemin e kompensimit më fleksibël dhe të lidhur me ndryshimet e inflacionit.
“Gjithashtu, janë parashikuar rritje të diferencuara pagash, për të mbështetur në masë më të lartë punonjësit e sektorit mbështetës, por edhe kategori të tjera të administratës, për të garantuar një shpërndarje më të drejtë të kompensimit në nivele të ndryshme të strukturës së Administratës Publike. Kostoja e përgjithshme e këtyre ndërhyrjeve në pagat, përfshirë rritjen e pagës minimale dhe indeksimin periodik është vlerësuar në rreth 10 miliardë lekë dhe prek mbi 144 mijë punonjës të administratës qendrore dhe vendore”, tha Yzeiraj.
Lidhur me buxhetin për shëndetësinë, Yzeiraj tha se “shpenzimet e sektorit të shëndetësisë për vitin 2026 planifikohen të jenë në masën 81,2 miliardë lekë dhe rreth 2,9% të PBB-së ose 4,9 miliardë lekë më shumë se Buxheti 2025. Përveç indeksimit të pagave dhe njehsimit të vjetërsisë për mjekët dhe infermierët me sistemin e nëpunësve civil që do të materializohet prej 1 janarit 2026, projektbuxheti 2026 do të financojë disa politika”.
Sa i përket mbrojtjes sociale, Yzeiraj tha se “shpenzimet për mbrojtjen sociale, si sektor, për vitin 2026 parashikohen të jenë 257,3 miliardë lekë ose rreth 9,2% e PBB. Krahasuar me Buxhetin 2025 do të kemi një shtesë prej 11,6 miliardë lekë”.
“Projektbuxheti 2026 garanton rritjen e qëndrueshme të mburojës sociale për shtresat në nevojë, me fokus tek fëmijët, nënat me shumë fëmijë, të moshuarit dhe familjet”, tha Yzeraj.
Nënkryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi tha se “projektbuxheti 2026 është një dokument strategjik që përfaqëson jo thjesht një plan financiar, por është një kontratë jashtëzakonisht e qartë që ka qeveria shqiptare me qytetarët për mirëqenie të shtuar, dinjitet dhe përshpejtimin e integrimit europian. Ky stabilitet nuk është një qëllim në vetvete, sepse është nga ana tjetër mjeti që na mundëson të bëjmë reforma dhe investime të drejtpërdrejta që kanë efekt mbi jetën e qytetarëve”.
“Me fillimin e vitit 2026 nis zbatimi i reformës së pensioneve, ku pensionet janë prezantuar edhe nga Kryeministri, do të rriten përtej indeksimit vjetor dhe do të vazhdojnë të rriten deri në fund të mandatit qeverisës 4-vjeçar. Paga minimale do të rritet me 50 mijë lekë dhe me një perspektivë që do të jetë e qartë ngjitje deri në 70 mijë lekë. Ky është një buxhet që investon tek kapitali njerëzor, por jo vetëm sepse investon tek pjesa që ka lidhje me shërbimet publike”, tha Luarasi.
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik Foto: Andrin Hoxhaj 1 nga 8/k.s/r.e/a.f/