Rama: Brenda këtij mandati shpallim sovranitetin energjetik

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, projekti madhor kombëtar për interkonjeksionin, në partneritet strategjik me Italinë dhe Emiratet e Bashkuara, do t’i japë Shqipërisë një epërsi të madhe strategjike në aspekt të eksportit të energjisë së rinovueshme.
Në prezantimin e projektit “OSHEE Charge”, një shërbim i ri i karikimit të mjeteve elektrike, për të shkuar drejt energjisë së pastër dhe transportit të qëndrueshëm, Rama u shpreh se, “jemi në një proces ku po ecim edhe me interkonjeksionin, projekti madhor kombëtar për interkonjeksionin, që faktikisht do ta realizojmë si një pjesë e një partneriteti strategjik me Italinë dhe me Emiratet e Bashkuara dhe që do të na japë si vend një epërsi të madhe strategjike në aspekt të eksportit të energjisë së rinovueshme”.
Rama theksoi se objektiv strategjik është kthimi i Shqipërisë nga një vend në humnerë dhe në prag të kolapsit energjetik, në një vend eksportues neto të energjisë elektrike.
Rama u shpreh se, kjo ishte diçka e paimagjinueshme deri jo shumë vite më parë.
Kryeministri shtoi se brenda këtij mandati të katërt të qeverisë, Shqipëria mund të shpallë sovranitetin e plotë energjetik dhe që të mos jetë më e varur as nga importi i energjisë, as nga krizat në tregun energjetik.
“Kjo është në dorën tonë tanimë, pasi është vetëm një çështje e pak vitesh, brenda këtij mandati të katërt të qeverisë, që ne të shpallim sovranitetin e plotë energjetik dhe që të mos jemi më të varur as nga importi i energjisë dhe as nga luhatjet nganjëherë thuajse katastrofike që sjellin në tregun e energjisë krizat, që nuk kanë të bëjnë fare me ne, siç edhe i kemi përjetuar vetëm në kohët e fundit në mënyrë shumë dramatike”, tha Rama.
/gj.m/r.e/a.f/