Rama: 350 mijë matësa inteligjentë energjie në 2026-ën, ulim humbjet në rrjet

TIRANË, 10 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se brenda vitit 2026 do të nisë puna për instalimin e matësave inteligjentë të energjisë, nismë që do të reduktojnë humbjet në rrjet.
Gjatë prezantimit të projektit “OSHEE Charge”, Kryeministri u ndal te novacioni në sektorin e energjisë.
“Brenda vitit të ardhshëm do të kemi edhe fillimin e punës transformuese për matësit e energjisë, duke kaluar në sistemin e matësave inteligjentë”, u shpreh Rama.
Fillimisht, Kryeministri theksoi se puna do të nisë me një parti të parë prej 350 mijë matësash dhe brenda këtij mandati do të përmbyllet i gjithë procesi.
Rama theksoi se ky investim do të ulë edhe më shumë nivelin e humbjeve teknike në rrjet, duke e çuar në mesataren e poshtme të BE-së.
Po ashtu, Kryeministri theksoi se falë këtij investimi do të rritet cilësisht faturimi i energjisë për çdo konsumator, “duke riparuar edhe ato të meta të fundit që ka procesi i faturimit”.
Nga ana tjetër, Rama theksoi se ka nisur puna për të ngritur në Shqipëri një qendër të dhënash (datacenter) të fjalës së fundit të energjisë.
“Edhe pse nuk është drejtpërdrejt e lidhur me OSHEE-në, por me KESH-in, prapë është një inovacion që shkon në të njëjtin drejtim. Një kompani e madhe publike, sektor strategjik ku përgjegjësia publike në shërbim tanimë është duke u përkthyer edhe në përgjegjësi për projektimin dhe materializimin në kohë të atyre që janë bazat e së ardhmes”, tha Rama.
/r.e/a.f/