E Martë, 3 Nëntor 2026

Balluku: Investimet dhe reformat në energjetikë, gati drafti i ri i ligjit


TIRANË, 17 prill/ATSH/ Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë informoi sot se javën e ardhshme do të nxirret për konsultim publik drafti i ligjit “Për sektorin energjetik”.

Në tryezën ”Tregu i energjisë dhe aktorët e tregut”, mbajtur sot me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të sektorit publik dhe privat, Balluku u shpreh se “e shikojmë të rëndësishme që të kemi një ligj që do të na përgjigjet në vijimësi, në të gjithë kuadrin e tij pa pasur nevojë për ndryshime të herëpashershme dhe luhatje me proceset që kanë të bëjnë me investimet në sektor”.

Ajo ftoi aktorët në treg të paraqesin propozimet e tyre për këtë ligj.

Më tej, Balluku bëri të ditur se falë investimeve dhe reformave në këtë sektor, humbjet sot kanë rënë në 18%, nga 45 që ishin në 2023-ën.

“E kemi marrë me 700 milionë euro borxh të niveleve të ndryshme dhe me humbje teknike që kalonte 45 % dhe mbledhje të ardhurash nën 75 %. Sot humbjet teknike kanë rënë në 18%”, deklaroi Balluku.

Në të njëjtën kohë, zv/kryeministrja vuri në dukje se sot, 10% e prodhimit vendas vjen nga parqet fotovoltaike.

“Sot kemi kompani të mëdha shqiptare e europiane që po ndërtojnë parqe fotovoltaike që garantojnë sigurinë energjetike të vendit dhe kthimin e Shqipërisë në një vend eksportues neto”, u shpreh ajo.

Balluku tha se qeveria, rritjes së kapaciteteve prodhuese po i përgjigjet edhe me kapacitete të shtuara transmetuese.

Fale investimeve të kryera dhe reformave, theksoi Balluku, ia dolëm të ulnim çmimin për mbi 1 milion abonentë familjarë. /j.p/

1 nga 14

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›