Balluku inspekton masat për vendosjen e impianteve të trajtimit të ujërave të ndotura: Deti, aseti më i madh!

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka nisur kontrollet mbi vendosjen e impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura.
Objekt i kontrolleve nuk janë vetëm subjektet pranë ujërave larës të cilat janë në funksion dhe operojnë në sektorin e shërbimeve, por edhe objektet që janë duke u ndërtuar duhet të kenë pjesë të projektit edhe zgjidhjen për trajtimin e ujërave të ndotura.
Radhima dhe Dhërmiu janë dy zonat ku procesi ka avancuar me ritme shumë të mira, dhe tashmë një pjesë e madhe e subjekteve kanë vendosur impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura. Në terren për monitorimin e situatës janë 5 ekipe të Taskforcës.
Për të rritur transparencën e të gjithë këtij procesi inspektorët janë pajisur edhe me kamera trupi, ndërkohë që vetëm brenda një jave janë kontrolluar më shumë se 400 subjekte.
Zonja Balluku risolli në vëmendje edhe një herë se nuk do të ketë asnjë tolerim për këdo që abuzon, pasi kjo nismë synon rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj të gjithë pushuesve, duke nxitur më tej zhvillimin e turizmit.
“Duhet ruajtur deti, është aseti më i madh. Patjetër është një kërkesë e qeverisë shqiptare, por bazuar mbi një sërë faktesh. Ujërat larës për ne janë të rëndësishme, pasi janë produkti kryesor që ne kemi mbi të cilin kemi bazuar turizmin, patjetër janë malet, është agroturizmi, patjetër është kuzhina e jashtëzakonshme, kulinaria shqiptare, por deti është aseti më i madh që ne kemi”, nënvizoi Balluku.
/ rtsh.al /