E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balluku inspekton sportelet e e-Albania në Lushnjë: Ndihma falas për qytetarët, do të goditen abuzimet me pagesë

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, vizitoi të martën sportelet e Bashkisë Lushnjë, ku tashmë ofrohet asistencë për qytetarët që kanë nevojë për ndihmë me aplikimet në portalin e-Albania. Ky inspektim është pjesë e një nisme më të gjerë qeveritare për të siguruar që shërbimet dixhitale të jenë të aksesueshme për të gjithë.

E shoqëruar nga kryetarja e bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, ministrja Balluku theksoi se po kryhet një inspektim në të gjitha bashkitë për të vlerësuar se si po ofrohet shërbimi i mbështetjes për qytetarët që nuk kanë mundësi të aksesojnë e-Albania nga telefonat apo pajisjet e tjera elektronike.

Balluku vuri në dukje se e-Albania është një platformë plotësisht falas dhe pjesë e projektit të digjitalizimit të shërbimeve publike, e aksesueshme për çdo qytetar me kodin personal.

Ajo shprehu shqetësimin për zbulimet se “në treg, përgjithësisht në disa nga zyrat e avokatëve dhe noterëve, janë duke ofruar me pagesë ndihmën për e-Albania.”

Ministrja paralajmëroi se çdo zyrë avokatie apo noterie që merr para për këtë shërbim është në shkelje totale të ligjit. Ajo theksoi se Ministri i Drejtësisë dhe skuadra e tij janë angazhuar të vendosin rregull dhe të godasin këtë formë abuzimi.

“Ndërkohë që moshat e thyera, apo ata që mund të kenë pamundësi për sa i përket pajisjeve elektronike, duhet të mbështeten nga bashkitë,” shtoi Balluku, duke vënë theksin tek roli thelbësor i qeverisjes vendore.

Ajo sugjeroi domosdoshmërinë e caktimit të një punonjësi në çdo njësi administrative, i cili, ndërsa kryen detyra të tjera, mund të ndihmojë qytetarët me shërbimet e e-Albania.

Kryebashkiakja Eriselda Sefa konfirmoi se Bashkia Lushnjë ka afishuar njoftimin për këtë shërbim, në mënyrë që të gjithë qytetarët që vijnë në bashki për shërbime të tjera të informohen për mundësinë e marrjes së ndihmës për aplikimet online.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›