Balluku në Athinë: Përafrojmë legjislacionin me BE dhe zhvillohemi drejt energjisë së rinovueshme

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e pranishme në Traktatin e Komunitetit të Energjisë që po mbahet në Athinë, theksoi se Shqipëria duhet të zhvillohet drejt energjisë së rinovueshme.
“Traktati i Komunitetit të Energjisë u krijua 20 vite më parë duke u kthyer në një platformë vitale për të gjitha shtetet partneret. Në këto 20 vite, sidomos në këto 5 vitet e fundit, duke nisur nga 2019-ta, Traktati i Komunitetit të Energjisë për Shqipërinë u kthyer në një udhërrëfyes. U kthye në një tryezë ku ne arritëm të adresonim të gjithë problematikat, sidomos ato të bashkëpunimit rajonal, aty ku ne arritëm që të vinim më afër kërkesave të Bashkimit Europian, të kishim një zë për ti diskutuar dhe përmes Sekretariatit të Energjisë ti çonim këto problematika pikërisht në Bruksel.”- u shpreh ajo.
Ndalur te integrimi i vendit në BE, Balluku tha se roli i Sekretariatit të Energjisë është thelbësor. Ajo theksoi se për këtë po punohet për ndryshimin e kuadrove rregullatorë dhe përafrimin e tyre me ligjet europiane.
“Ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbërt”, theksoi Balluku.
/rtsh.al/