Ndikimi i temperaturave të larta në bujqësi, specialisti: Tre vitet e fundit të vështira edhe për shkak të mungesës së reshjeve

Prej disa javësh, mungesa e reshjeve dhe temperaturat përvëluese kanë bërë që shumë kultura bujqësore të përballen me vështirësi të mëdha. Specialistët e bujqësore ne Gjirokastër theksojnë se situata po bëhet gjithnjë e më shqetësuese.
“Temperatura optimale për bimët është 24 deri në 26 gradë, duke marrë parasysh që temperaturat janë dyfishi i këtyre, detyrimisht që do të ketë një ndikim të shumanshëm, si në zhvillimin e bimëve edhe në rendimet. Po ashtu janë edhe disa dëmtues që stimulohen nga këto temperatura të larta”, tha Balil Bineri, specialist i bujqësisë.
Bineri, shprehet se disa nga kulturat më të ndjeshme kanë nevojë për përkujdesje të shtuar, veçanërisht për sigurimin e lagështirës optimale të tokës në mënyrë që të mos dëmtohet prodhimi.
“Ujitja duhet të kryhet kryesisht në orët e mbrëmjes ose mëngjesit. Ujitja me shi-hedhje është rreptësishtë e ndaluar”, theksoi Bineri.
Tre vitet e fundit kanë qenë veçanërisht të vështira për sektorin e bujqësisë për shkak të mungesës së reshjeve dhe temperaturave të larta.
Gazetare: L. Koçiu
/rtsh.al/