Balotazhi, LDK fiton 5 komuna, LVV dhe AAK nga 4, PDK 3

PRISHTINË, 9 nëntor/ATSH/ Qytetarët e Kosovës votuan sot në 18 komuna për t’i zgjedhur kryetarët e tyre përkatës. Balotazhi u mbajt në disa prej qyteteve më të mëdha të vendit, si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani etj. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dalja ishte mbi 32 për qind.
Bazuar në të dhënat preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të 9 nëntorit, rezultatet janë kështu:
- LDK: Prishtinë, Pejë, Dragash, Viti dhe Junik
- LVV: Mitrovicë e Jugut, Fushë Kosovë, Gjilan dhe Obiliq
- AAK: Gjakovë, Suharekë, Klinë dhe Rahovec
- PDK: Prizren, Vushtrri dhe Kaçanik
- LISTA SERBE: Kllokot
- Partia turke KDTP: Mamushë
Në rezultatet e KQZ-së nuk përfshihen votat me postë dhe ato të personave me nevoja të veçanta.
Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se në bazë të rezultateve që kanë marrë nga komisionarët, partia e tij ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Fushë Kosovë, Obiliq dhe Gjilan në rundin e balotazhit.
Në total, në këto zgjedhje lokale, LVV, tha Kurti, ka fituar në shtatë komuna.
“Ky është një sukses i LVV-së. Natyrisht që kemi synuar më shumë se kaq”, tha ai.
Kurti tha se në partitë e tjera u bashkuan kundër LVV-së në rundin e balotazhit, prandaj ky rezultat “është një sukses i LVV-së”.
Në të gjitha komunat ka përfunduar plotësisht votimi, ndërkaq në platformën online, sipas kreut të KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, do të azhurohen më vonë edhe dy vendvotime për Mitrovicën e Jugut.
“Rezultatet përfundimtare do të shpallen pasi të numëron votat e diasporës, të personave me nevoja të veçanta dhe votat me kusht”, tha ai.
Sa i përket votave nga diaspora, ai tha se pret që nga java e ardhshme ato të arrijnë në Kosovë dhe një javë më pas të përmbyllet numërimi i të gjitha votave. /rel/