Baloteli: Do të luftoj fort racizmin, por nuk dal nga fusha
Nga njëra anë është Mario Baloteli i inatosur, që merr mbi vete kritikat e trajnerit Alegri për kartonët e verdhë që pëson, e nga ana tjetër është Mario Baloteli që del në faqen e parë të revistës së njohur Sports Illustrated. Dhe faktin për të qenë edhe më shumë në kontakt me njerëzit ai e shfrytëzon për të luftuar një armik të madh e problematik, që është urrejtja racore. Racizmi nuk mundet që të fshihet. Është njësoj si cigaret. Nuk mundet që ta lësh, nëse realisht nuk do. Pra racizmin nuk mund ta ndalësh nëse njerëzit nuk duan. Por unë do të bëj çdo gjë që të mund të ndihmoj që kjo sëmundje e keqe të mund të mposhtet, u shpreh sulmuesi i Milanit për revistën e njohur amerikane.
Njeriu më interesant në botë
SuperMario ka dalë në faqen e parë të një prej revistave me më shumë lexues në botë. Ai është fotografuar me krahët hapur, ndërsa duket sikur ecën në ujin e një pishine në Majemi. Nga revista e njohur ai prezantohet si burri më interesant në botë, sepse është italian, por edhe afrikan, është simboli i Milanit, por edhe simboli i Europës së re, është viktimë e urrejtjes racore, por edhe një figurë që josh, i riu më i fortë në botën e futbollit, që gjithashtu është mik i Papa Françeskos dhe të kryeministrave. Këtu gazetari i referohet relatave miqësore që lojtari ka me presidentin e Milanit Silvio Berluskoni, që ka mbajtur postin e kryeministrit në Itali. Me të unë flas, por nuk është se kemi një marrëdhënie shumë të afërt, thotë Baloteli për Berluskonin. Ai shton se tërhiqet nga figura e presidentin të SHBA-ve Barak Obama. Mendoj se ai është një njeri i madh dhe që mund të përfaqësojë për të gjithë ne një nisje të re, pikërisht sepse është zezak dhe sepse është i pari president me ngjyrë.
Se lë fushën
Por për temën e racizmit në futboll, Baloteli i ka fjalët më të ashpra. Fillesa e këtij qëndrimi i ka rrënjët nga sfida e nisjes së kampionatit ndaj Veronës, ku tifozët nga Sports Illustrated cilësohen si racistët më famëkeq në Itali. Shpresoj mos të thonë gjë. Në të kundërt do të luftoj shumë të bëj gol e më pas, do them diçka unë. Por nuk do të lë fushën. Pikërisht do të rri për të kundërshtuar këtë rregull idiot.
Mekses kritikohet për fjalë jo sportive: Djema, ti thyejmë më dysh
Filip Mekses ishte në fushë në takimin e parë të play off-it të Champions-it ndaj PSV Eindhovenit, por ai protagonist u bë me një deklaratë para nisjes së takimit. Futbollisti francez i kërkon shokëve që të shfaqen të frikshëm dhe ti thyejnë më dysh rivalët. Diçka e tillë është konsideruar si një sjellje jo sportive dhe ka sjellë reagimin e tifozëve. Hajde djema se i thyejmë më dysh këta. Janë thjesht disa fëmijë, e i bëjmë që të kenë frikë, dreqi ta hajë, ishin fjalët e francezit, një u përdorën për të rritur vetëbesimin dhe për ti dhënë zemër shokëve të tij të ekipit. Duhet thënë se mosha mesatare e ekipit holandez është tek të 20 vjetët, dhe për këtë arsye francezi u përpoq të motivonte të tijtë. Por ndërsa videoja e transmetuar është cilësuar si simpatike nga ana e tifozëve kuqezinj, ata holandezë nuk e kanë pritur aspak mirë. Për më tepër që tani që e kanë parë edhe fëmijët e PSV-së do të luftojnë edhe më fort në takimin kthimit javën e ardhshme. Sfida mes të dy ekipeve në Philip Stadion, qe tepër e fortë dhe Milani vetëm falë eksperiencën arriti që të merret një barazim 1-1. Por holandezët në shumicën e takimit ishin superiorë dhe patën disa raste për të shënuar. Tani gjithçka ngelet për të zgjidhur në San Siro me fëmijët, që do të duan ti tregojnë Meksesit se janë burra.
Viali: El Sharaui duhet të përmirësohet edhe ca
Xhanluka Viali mendon se për El Sharauin është normale që të mos jetë gjithmonë në nivelet më të larta futbollistike. Në atë moshë që ka, është e kuptueshme që të mos shkëlqejë gjithmonë. Por tani me ardhjen e Balotelit, ai nuk arrin që të tregojë gjithë kapacitetet e tij si dukur, pasi furnizohet me më pak topa. Por ai ndihmon ekipin dhe unë shpresoj që kjo gjë të mos ndryshojë. I duhet të përmirësohet edhe ca, tha Viali.
Rosi: Milani duhet të bëjë përforcime
Ish bomberi i Juventusit Paolo Rosi mendon se Milani duhet të bëjë përforcime që të shkëlqejë. Mungon diçka në mesfushë tek Milani, një lojtar i aftë që të ndërtojë sulem të shpejta. Unë mendoj se klubi duhet që të bëjë blerje edhe në repartin difensiv, ndoshta duke investuar tek një lojtar karizmatik. Ljajiç? Është një lojtar i ri dhe i talentuar. Mendoj se i duhet ende që të piqet si futbollist dhe të afirmohet, tha Rosi.
Abate: Jemi një grup i jashtëzakonshëm
Injacio Abate është i lumtur që ka arritur të jetë në një gjendje të mirë fizike dhe që mund ti shërbejë ekipit. Futbollisti ka pasur probleme me shpatullën, por ka punuar shumë duke u kthyer në formacionin kryesor. Trajneri më dha besim dhe unë u përpoqa që tia ktheja këtë besim. Takimin me PSV-në ne do ta luajmë në San Siro. Jam i lumtur që krosova saktë dhe që El Sharaui bëri gol, tha mbrojtësi. Ai kujton se pas pak ditësh, Djalli ka një sfidë të rëndësishme në kampionat. Na pret takimi me Veronën, atje gjithçka është shitur dhe do ketë një interesim të madh të titozëve. Besoj tek fitorja, ne jemi një grup i jashtëzakonshëm.