Tërhiqet Greqia, rikthehet normaliteti në pikat kufitare
Pas reagimit shqiptar, Greqia lejon emigrantët shqiptar të kalojnë kufirin
Pas më shumë se 12 orësh tensioni, situata në pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë i është rikthyer normalitetit. Fillimisht ishte pala greke e cila duke iu kundërpërgjigjur incidentit në Përmet vendosi të hakmerrej ndaj emigrantëve shqiptarë të cilët po kalonin kufirin në Greqi. Me një vendim absurd pala greke vendosi të forconte kriteret për të gjithë emigrantët shqiptarë të cilët ndodheshin në doganat e Kakavijës dhe Kapshticës për të kaluar kufirin. Kështu punonjësit grek në pikën kufitare të Kakavijës vendosën si kusht sasinë e parave për të lejuar emigrantët të kalonin. Të gjithë emigrantët që donin të kalonin kufirin për në Greqi duhet që të kishin me vete 3000 euro. Nga këto kushte të vendosura nga pala greke u kthyen në pikën kufitare të Kakavijës, rreth 100 emigrantë shqiptarë. E njëjta situatë u paraqit edhe në pikën kufitare të Kapshticës.
Reagimi
Pas kësaj situate i menjëhershëm ishte edhe reagimi i palës shqiptare. Autoritetet kufitare të Kakavijës, urdhëruan vendosjen e marrëdhënieve të reciprocitetit me Greqinë. Autoritetet urdhëruan që të mos lejohen të kalojnë shtetasit grekë nëse sjustifikonin kalimin. Nga ky vendim, pala shqiptare ktheu rreth 50 shtetas grek të cilët po kalonin kufirin për në Shqipëri. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe autoritetet kufitare të Kapshticës, duke kthyer mbrapsht disa shtetas grek të cilët do të hynin në vendin tonë përmes pikës kufitare të Kapshticës.
Konsulli
Pas këtij vendimi të palës shqiptare ishte Konsulli Grek në Gjirokastër ai i cili njoftoi tërheqjen e palës greke nga kushtet e vendosura ndërsa kërkoi që të njëjtën gjë të bënte edhe pala shqiptare. Pas këtij vendimi, kalimi i emigrantëve shqiptarë në pikat kufitare bëhej vetëm me pasaportë biometrike. Rreth orën 16:00 në pikën kufitare të Kakavijës është rikthyer normaliteti në të dyja anë e kufirit.
Situata në pikat kufitare, Braçe: Të ndërhyjë Bashkimi Evropian
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar në lidhje me bllokimet në kufi të qytetarëve shqiptarëve nga ana e policisë greke. Në rrjetin social Facebook, Braçe shprehet se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me reciprocitet, pasi të dëmtuar më së shumti janë pikërisht shqiptarët. Sipas tij, për këtë çështje duhet të ndërhyjë edhe Bashkimi Europian, duke qenë se na ka dhënë të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së. Kjo nuk është çështje e dy kryepolicëve të kufirit. Kjo nuk mund të zgjidhet me reciprocitet që ndalon. Kjo nuk mund të jetë as çështje e jona vetëm me Greqinë. Shqipëria ka përfituar nga lëvizja e lirë dhe ka marrë këtë të drejtë për shtetasit e saj nga Bashkimi Europian. As nga Greqia më vete dhe as ndonjë shtet tjetër po më vete. Nga Bashkimi Europian. Atje duhet të shkojë, atje duhet të shqyrtohet, atje duhet të zgjidhet! Këtë vend, qytetarët e tij, nuk mund ti marrë peng cilido polic i Greqisë. Dhe jo vetëm kjo çështje, por edhe fluksi i emigrantëve nga Siria e më gjerë që Greqia qëllimisht po derdh në kufirin e gjelbërt me ne. Përtej këtij fakti, vijoj të mendoj se kjo është edhe çështje mes nesh, mes Shqipërisë e Greqisë. E shkruajta edhe dje, është i turpshëm niveli i marrëdhënieve mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Greqisë. Duhet të ndryshojë çdo gjë. Rrënjësisht. Dhe, me një zgjidhje që garanton lëvizjen e lirë dhe nuk e bllokon atë reciprorikisht. Të humbur do ishin qytetarët, ne më shumë dhe grekët më pak, shprehet Braçe në rrjetin social Facebook.
Rama komunikon me Athinën zyrtare
Burime të mirinformuara në Athinë tregojnë se mes Edi Ramës dhe Athinës për çështjen e toponimeve, si edhe për krizën në Përmet ka patur një komunikim intensiv. Kryeministri i ardhshëm i ka kërkuar mikut të tij të majtë, Venizellos në Ministrinë e Jashtme heqjen e kufizimit për shqiptarët, deri në fund të shtatorit për ta zgjidhur pastaj përfundimisht këtë problem në rrugë bilaterale. Dhe pala greke ka mbajtur fjalën, deri kur kriza e Përmetit ka risjellë në skenë fantazmën e toponimeve, ditën e martë e dje paradite, kur përsëri sipas të njëjtave burime, Rama ka komunikuar me Athinën. Është e konfirmuar se rikthimi i normalitetit ka ardhur falë këtij komunikimi. Nga ana tjetër, Edi Rama nuk ka dhënë asnjë deklaratë për çështjen e krizës në Përmet, por burimet e Top Channel pranë qeverise së re tregojnë se Kryeministri i ri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati janë të angazhuar për zgjidhjen e këtij problemi. Mesa duket edhe dialogu i hapur nga kryebashkiaku socialist me përfaqësuesit e kishës është produkt i planit Rama – Bushati për zgjidhjen e këtij problemi. TCH
Ambasadori grek në Tiranë: Situata do normalizohet
Për incidentin e ndodhur dje në pikat kufitare të Shqipërisë me Greqinë, Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, Llesh Kola thirri në takim Ambasadorin grek në Tiranë, Leonidas Rokanas. Sekretari i Përgjithshëm diskutoi me Ambasadorin grek mbi të gjitha problematikat që janë krijuar ditët e fundit në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe. Lidhur me shqetësimin tonë mbi kthimet e qytetarëve shqiptarë nga autoritetet policore greke në Pikat e Kalimit Kufitar, Ambasadori Rokanas informoi se duke filluar nga dita e sotme, situata po normalizohet dhe fluksi i qarkullimit do të rikthehet në standardet normale të sezonit. Ai siguroi angazhimin e tij për ndjekjen e kësaj çështjeje, me qëllim që situata të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen, njofton zyra e shtypit në Ministrinë e Jashtme.
Mediat italiane: Shqipëri-Greqi në luftë diplomatike
Ngjarjet e fundit të ndodhura në Përmet dhe përplasjet mes Shqipërisë dhe Greqisë, kanë ngjallur interes edhe tek fqinjët italianë. Mediat e këtij vendi shkruajnë se Shqipëria dhe Greqia janë në një luftë diplomatike, çka ka sjellë mbylljen e kufijve. Tensionet e forta të ditëve të fundit mes Greqisë dhe Shqipërisë kanë sjellë mbylljen e kufirit mes dy vendeve, që në mënyrë reciproke kanë refuzuar hyrjen e qytetarëve të njëra-tjetrit. Shkak i luftës diplomatike është një çështje mes Kishës Ortodokse shqiptare, e lidhur ngushtë me Athinën dhe Bashkisë së qytetit të vogël të Përmetit, në jug të Shqipërisë, për pronësinë mbi një godinë publike, shkruan TGCom Mediaset.
Agimi i Artë: Shteti i kaçakëve po terrorizon grekët
Edhe partia neonaziste greke, Agimi i Artë reagoi për incidentin e ndodhur në Përmet. Shteti i kaçakëve po terrorizon grekët dhe po pushton kishat ortodokse përmes paramilatarëve dhe policisë private, shkruan një deklaratë e Agimit të Artë. Më tej ata i kërkojnë qeverisë greke që të ndërhyjë për të zgjidhur çështjen ndërsa shton se emigrantët shqiptarë në Greqi duhet të dëbohen menjëherë. Qeveria greke nuk po bën asgjë për të parandaluar këto ngjarje. Agimi i Artë kërkon një reagim të shpejtë ndaj provokacioneve të shqiptarëve. Duhet të mbrojmë vëllezërit tanë nga Vorio-Epiri. Ndërsa të gjithë emigrantët shqiptarë në Greqi, duhet të dëbohen menjëherë, përfundon deklarata e Agimit të Artë.