E Diel, 1 Nëntor 2026

Baloteli-Murinjo, sulmuesi kërkon falje

ROME-Vjen paqja mes Zhoze Murinjos dhe Mario Balotelit. Falë një pune të madhe diplomatike në ditët e shkuara të drejtorit teknik Marko Branka, mes trajnerit dhe sulmuesit të Interit ka ardhur edhe sqarimi, që do ta kthejë lojtarin në skuadër për ndeshjen e radhës kundër Bolonjës, në program nesër në orën 15.00 në "San Siro". Dje në mëngjes, në qendrën stërvitore të Apiano Xhentiles, erdhi momenti i paqes zyrtare, ndërkohë që sinjalet ishin dhënë që të mërkurën në mbrëmje, me praninë e Marios në dhomat e zhveshjes dhe fjalët e shkëmbyera mes tij e Murinjos. "Para ndeshjes më tha 'paç fat Mister', pas ndeshjes 'komplimente Mister', - sqaroi Murinjo për bisedën e të mërkurës. - Përgjigja ime para ndeshjes ishte 'faleminderit Mario', ndërsa pas ndeshjes ishte 'falimenderit Mario'. Kjo ishte e gjitha", shtoi tekniku portugez duke buzëqeshur. Por, pas atij çasti, dje paradite ka patur edhe një tjetër takim mes trajnerit zikaltër dhe futbollistit. Ka qenë agjenti Mino Raiola që e ka kërkuar me ngulm këtë takim dhe tashmë situata është zhbllokuar plotësisht. Mario Baloteli qëndroi 6 ndeshje jashtë si një masë disiplinore e Zhoze Murinjos për sjelljen e tij. Ky moment ndikoi jo pak në kampin zikaltër, jo vetëm për shkak se Interit i mungoi një lojtar cilësor, por edhe për faktin se në shtyp është folur më shumë për këtë çështje sesa për kualifikimin historik ndaj çelsit apo pjesën tjetër të skuadrës.
Ndjesa
Pas sqarimit të ndodhur paradite, dje rreth orës 15.27 në uebsajtin zyrtar të Interit u publikua një deklaratë zyrtare e Mario Balotelit, i cili ka kërkuar ndjesë për sjelljen e tij. "Kërkoj falje për situatën e krijuar kohët e fundit, - deklaroi talenti zikaltër. - Jam i pari që e kam vuajtur gjithë këtë, sepse e adhuroj futbollin dhe dua të luaj. Tani pres në heshtje që të rikthehem të jem i dobishëm për skuadrën time. Nuk dua të mendoj më për të shkuarën, por të shoh nga e ardhmja dhe të përqendrohem në impenjimet e radhës". Një deklaratë që natyrisht mbyll gjithë polemikat mes Balotelit e Murinjos. Tashmë është e qartë se lojtari do të rikthehet të jetë pjesë e skuadrës. Baloteli do të grumbullohet për ndeshjen e radhës ndaj Bolonjës, që do të thotë një rikuperim i rëndësishëm për zikaltërit duke parë mungesat e shumta. Këtyre mungesave u është shtuar edhe dëmtimi i Uesli Shnajder, që ka një problem me kaviljen e majtë. Ndërkohë, pas tre vjetësh do të mungojë për herë të parë edhe Havier Zaneti, që ka plotësuar numrin e kartonave. Për Interin megjithatë mendohet një sfidë e lehtë, duke parë edhe diferencën mes dy ekipeve.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›