E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një vit në NATO, Tirana sot në festë

TIRANE- Qeveria do të festojë sot, 1-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Ministria e Mbrojtjes është organizatorja e aktiviteteve, të cilat nisin sot, në orën 10:00, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, me një Konferencë Jubilare.
Në këtë aktivitet do të jetë i pranishëm kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zv/kryeministri dhe ministër i Jashtëm, z. Ilir Meta, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Maksim Malaj, ushtarakë të lartë të Forcave tona të Armatosura, përfaqësues të trupit diplomatik në Tiranë, ushtarakë nga Shtabi i NATO-s në Tiranë dhe përfaqësues të misioneve që shërbejnë në vendin tonë, si dhe mjaft të ftuar të tjerë.

Gazeta Shqiptare shkruan sot se në këto festime pritet të mungojnë deputetët e opozitës.

Po sot, në orën 19:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Pallatit të Kongreseve do të jepet një koncert i madh festiv nga Orkestra Frymore e Bashkuar me 100 instrumentistë, nga Orkestra Frymore FA, TOB, RTVSH dhe Akademia e Arteve. Ministria e Mbrojtjes e ka organizuar këtë koncert jo në sheshin “Skënderbej” këtë herë, pasi ai është rrethuar nga Bashkia për t’u rikonstruktuar.

Për shkak të festimeve të ditës së sotme, policia ka marrë edhe masat e saj për ruajtjen e rendit dhe të sigurisë, por edhe për të vendosur një lloj rregulli në qarkullimin e automjeteve. Sipas një njoftimi të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, do të ketë bllokime të qarkullimit rrugor sot, duke filluar nga ora 15.00 deri më 24.00, përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nga Ura e Lanës pranë hotel “Dajtit” dhe deri në sheshin “Nënë Tereza”, Tiranë. Po ashtu, bllokimi ka filluar që mbrëmë nga ora 19.00 deri më 22.00. Në këtë orar pati kufizime të qarkullimit rrugor përgjatë segmentit të shtrirë përgjatë sheshit “Nënë Tereza”, në kryeqytet.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›