Baloteli do të kërkojë të largohet
Mino Raiola, njeriu që privoi Interin nga Zlatan Ibrahimoviç, duket se ka ndërmend t’u kërkojë drejtuesve të klubit edhe largimin e Mario Balotelit. Menaxheri mendon se kushtet aktuale të krijuara rreth sulmuesit të talentuar, nuk janë të favorshme për të vazhduar bashkëjetesën me zikaltërit. E përditshmja, “La Stampa” theksonte se pajtimi me Zhoze Murinjon duket ende larg, duke qenë se tekniku nuk ka ndërmend të ndryshojë qëndrimin. Portugezi gëzon edhe mbështetjen e klubit dhe të skuadrës rreth debatit me Balotelin, por edhe lojtari vazhdon të tregohet kokëfortë: mënyra e vetme për t’u rikthyer në skuadër është që “SuperMario” t’i kërkojë falje trajnerit, por sulmuesi nuk dëshiron ta bëjë diçka të tillë. E ardhmja e 19-vjeçarit duket e pasigurt, ndërkohë që së fundmi është prishur edhe marrëdhënia me tifozët: 3 nga 4 mbështetës, kërkojnë largimin e Balotelit.
#