Orikum, sërish protesta, bllokohet Ura e Izvorit
Banorët e Orikumit, sërish në protestë për pronat. Protesta e radhës ka nisur në qendër të qytetit dhe banorët kanë qenë gjatë gjithë kohës nën vëzhgimin e forcave të shumta policore. Pasi kanë përshkuar një gjatësi rruge më këmbë, protestuesit janë ndaluar në urën e Orikumit, që lidh Vlorën me Himarën, të cilën e kanë bllokuar për rreth 30 minuta. Ata sërish kanë kërkuar nga Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria që t’u njihet toka që kanë përfituar nga Ligji nr. 7501. “Tre nga njëqind prokurorët që qeveria ‘Berisha’ ka vendosur për të luftuar krimin e korrupsionin, duhet të vinë në Orikum për të verifikuar e zbuluar vjedhjen e madhe që na është bërë. Ne nuk jemi grekë dhe as antishqiptarë, prandaj qeveria jonë nuk duhet të lozë me fatet e qindra njerëzve”, kanë thënë të irrituar protestuesit. Më pas ata janë shpërndarë qetësisht, duke paralajmëruar për vijimin e protestave.
#