Balta dhe gropat, misioni i vështirë drejt Korçës
KORÇE/ JORGJETA GJANÇI
Udhëtimi nga kryeqyteti për në Korçë deri në Qafën e Plloçës kishte ecur këndshëm dhe shpejt. Asnjëri nga ne udhëtarët e atij furgoni, plot tetë vetë, nuk e kishte pasur mendjen tek rruga dhe shiu që binte pareshtur mbi asfalt, por sapo kaluam majën e Qafës së Plloçës e morëm drejtimin nga luadhet e Grabovicës filluam të ndienim tronditjet e forta.
Menjëherë u kujtuam se kishim hyrë në pjesën e rrugës që po ndërtohet superstrada Korçë-Qafë Plloçë. Furgoni uli në maksimum shpejtësinë e megjithatë lëkundej sa andej-këndej sepse ndërtuesit e superstradës në rrugën e re që kanë përgatitur për asfalt nuk i kanë kushtuar vëmendje nivelit të tabanit të rrugës. Teksa po zbrisnim për tek ujëmbledhësi duke kaluar mes gropave dëgjoheshin trokitje të pjesës së poshtme të furgonit mbi shtresën e lagësht e plot baltë. Drejtuesi i furgonit, Erind Asllani shau diçka nëpër dhëmbë, por duke u justifikuar për veprimin shton: "Superstrada po ndërtohet, po kur ajo të përfundojë, ne që udhëtojmë përditë mbi këto pirgje dheu e çakulli, që vetëm emrin e ka të tillë, do të na duhet të blejmë mjete të reja. Ka 8 muaj që vazhdon kjo gjendje, dhe nuk e dimë se kur do të marrë". Që në këtë moment udhëtimi vazhdoi ngadalë. Shiu që kishte rënë një ditë më parë dhe gjatë natës e kishte vështirësuar edhe më shumë udhëtimin. Gropat e rrugës nuk kishin të sosur. Ato mbushur me ujë e baltë jo vetëm që "bojatisnin" të gjitha mjetet por gjatë ecjes balta si një mastiç depërtonte në pjesët e poshtme të automjeteve duke krijuar shtresë të trashë mbi gjithë pajisjet. Edhe më të vështirë e kishin udhëtimin autoveturat e ulëta, serbatori i të cilave godiste mbi pjesët e larta të rrugës duke lënë pas një zhurmë gërryese që përcillej pas me një kuisje ankuese. Sikur të mos mjaftonte kjo, disa herë u detyruam të ndalnim e prisnim derisa mjetet e rënda që punonin në superstradë të largoheshin nga aksi rrugor. Shiu që kishte rënë për 12 orë pa ndërprerje kishte bërë më evidente gropat e rrugës, tashmë të mbushura me ujë. Nga ana tjetër, ruspat ngarkoheshin në anë të rrugës me çakull, që nuk ishte gjë tjetër veçse mbeturina guroresh dhe e derdhnin sipër gropave me ujë. Mandej ruspat i përhapnin togjet e hedhura mbi rrugë në mënyrë të çrregullt, duke mbushur ca gropa e krijuar ca gropa të tjera.
*****
Atje ku autostrada pritet me rrugën dytësore që të çon në fshatin Podgorie, një pjesë e mjeteve linin rrugën nacionale e vazhdonin udhëtimin drejt këtij fshati. Vështruam të çuditur, por shoferi i furgonit, nuk na la gjatë në habinë tonë. "Shumë mjete, - tregoi ai, - për t'u shpëtuar gropave të superstradës në ndërtim kanë muaj që udhëtojnë në rrugën rurale që dredhon rrëzë malit të Ivanit. Ata kalojnë përmes fshatrave Podgorie-Shëngjergj-Pojan-Plasë e mandej hyjnë në Korçë nga rruga e Bilishtit. Ky devijim e rrit dy herë gjatësinë e rrugës, por është disi më e mirë e nuk e dëmton kaq shumë sa këtej mjetin". Ne vazhduam rrugën në superstradën që po ndërtohej. Disa nga udhëtarët i kishte zënë furgoni, mbasi ishin turbulluar nga lëkundjet pa fund të tij, të tjerët ankoheshin nga dhimbje koke dhe të gjithë mezi prisnim që të mbaronte ai udhëtim i vështirë. Si ne edhe udhëtarët e mjeteve të tjera të autoveturave, kamionëve, autobusëve të udhëtarëve e turistëve, të cilët zvarriteshin pas nesh. Ato mjete që na parakalonin për të kapur sa më shpejt Korçën ishin fuoristradat e autoveturat luksoze, një pjesë e të cilave dhe me targa zyrtare.
*****
A do të përfundojë rruga për festat e nëntorit, ashtu siç deklaroi dhe kryeministri Berisha kur nisën punimet? Vështirë që kjo pyetje më 28 Nëntor të marrë përgjigje pozitive. Kjo për faktin se moti javët e fundit është shoqëruar me shira të vazhdueshme. Një specialist i ndërtimit të rrugëve, që nuk donte të identifikohej u shpreh se, hedhja e asfaltit kërkon terren të thatë, çka është e vështirë të sigurohet në muajin tetor në juglindje të vendit. Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Mirëmbajtjes së Rrugëve Nacionale, Kreshnik Zjani, shprehet i sigurt se mbi superstradë, deri në festat e nëntorit do të jetë hedhur shtresa e parë e asfaltit ose shtresa e konglomeratit, siç quhet në gjuhën teknike. "Firmat ndërtuese janë të interesuara ta përfundojnë këtë proces sepse dimri dhe qarkullimi i mjeteve ua dëmton shtresat që kanë hedhur dhe në pranverë duhet t'i rindërtojnë", shpjegon ai. Megjithatë, Zjari nuk flet për dy shtresat e tjera: atë të binderit dhe të tapetit, të cilat mund të mbeten për t'u hedhur në pranverën e vitit të ardhshëm.
Firmat ndërtuese: Pengesat tona, shiu dhe shpronësimet e banorëve
Përfaqësues të firmave ndërtuese, shkak për ritmet jo të kënaqshme të punës evidentojnë shirat e paparashikuara të dy javëve të fundit të shtatorit. "S'ka ditë e natë që nuk ka rënë shi", shfajësohej tekniku zbatues i lotit të parë E.N. Po dihet në juglindje vjeshta ka shira dhe dimri vjen shpejt. Nëse nuk mundën të hedhin punë në muajt e verës, vështirë do ta kenë të kapin afatin e paracaktuar. Teksa bisedojmë me ndërtuesit e superstradës mësojmë se ka edhe probleme të tjera që u janë bërë pengesë. Për këtë objekt shpronësohen 2216 pronarë, nga të cilët asnjëri nuk është shlyer. Mësohet se shpërblimi për pronarët e tokës truall dhe arë ka hyrë në proces, ndërsa 28 pronarët e objekteve kanë paqartësi rreth vlerësimit të investimeve të tyre. Mes tyre ka nga ata që duan të dinë masën e vlerësimit të pronës së tyre e më pas të lejojnë që të kryhen punimet në pronën e tyre. Kështu po ndodh me disa pronarë në Bulgarec, në Vashtmi, në Sovjan dhe me pronarin e një pike karburanti në lotin e pestë. Po për firmat ndërtuese të superstradës vazhdojnë të mbeten pengesa mostransferimi i shtyllave të linjave elektrike dhe të disa linjave të ujësjellësit, të cilat nuk janë parashikuar në projekt. Të gjitha këto nuk janë pengesa të pakta për të shkuar drejt përfundimit të superstradës Korçë - Qafë Plloçë.
Superstrada, 8 kilometra më të vështira
Superstrada Korçë - Qafë Plloçë, e gjatë 29.16 kilometra dhe gjerësi 12.5 metra, filloi të ndërtohet në janar të këtij viti, ku në dispozicion të saj janë 13 firma nga i gjithë vendi. Në lotin e parë, të tretë e të pestë ka kohë që ka filluar asfaltimi i shtresës së parë të konglomeratit, ndërsa në lotin e katërt, që fillon nga fshati Sovjan dhe përfundon në luadhet e Grabovicës, puna është më prapa. Këtë përshtypje të jepte një vështrim i shpejtë mbi këtë aks rrugor, por ishin punëtorët e këtij loti që na treguan se është segmenti më i vështirë i ndërtimit të kësaj superstrade. Në një aks prej mëse 8 kilometra firma "EUROTEOREMA & GJIGURIA" kanë përfunduar së ndërtuari 36 vepra arti. Ndërsa në lotet 1 dhe 2 edhe pse nuk është kjo ngarkesë pune, ritmet e punës janë shumë më të ngadalta.
Banorët: S'punojnë as me 2 turne
Megjithë vështirësitë e mëdha që ka krijuar realizimi i këtij investimi gjatë tërë periudhës që është punuar, tek banorët e zonës ku ajo shtrihet dhe vetë drejtuesit e mjeteve që e rrahin atë shpesh, mbizotëron mendimi se ritmet e punës kanë qenë të mira. Ka edhe mendime alternative. Kështu Eduart Vashtëmia, një nga fermerët e Libonikut, që ndeshëm në lotin e tretë të superstradës, u shpreh: "Kur u përurua fillimi i kësaj superstrade u tha se, do të punohej me tre turne. Do të ecin shpejt mendova, por asnjëherë nuk u punua natën. Kjo sepse firmat tona nuk kanë prozhektorë e duan të mos harxhojnë fonde për energji elektrike. Po edhe me dy turne nuk u punua, ndërsa të dielave rregullisht është bërë pushim. Për rrjedhojë tani që filluan shirat e vjeshtës duan të asfaltojnë. Unë nuk e di nëse ky asfalt do të jetë cilësor apo jo".