E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nik Xhelilaj kërcen tango në Durrës

Trishtimet e aktorit nuk kanë të sosur... Nëse pak kohë më parë ligështohej nga dashuria, tashmë ai është një Hamlet që e gjen mbretërinë e tij në kaos

Pas “trishtimit” që i solli Zonja Shnajder, Nik Xhelilaj ka vendosur të tregojë pasionin e tij, duke “kërcyer” tango. Por kërcimi i tij është simbolik, pasi lëvizja e vërtetë që përcjell personazhi i interpretuar nga aktori i talentuar përfaqëson idealizmin, që duket qesharak në një shoqëri që ka bjerrë virtytet, vlerat e veta në emër të lirisë për të shijuar të ndaluarën, përtacinë dhe çdo mundësi tjetër që kufijtë e dikurshëm nuk e lejonin. Kësaj here Xhelilaj nuk vjen nëpërmjet celuloidit, por në skenën e gjallë të teatrit “Aleksandër Moisiu”. Aktori që shëtiti kinematë anembanë me filmin e Mikanit, do të shpërfaqë veten edhe në teatër, më datë 1 tetor, nën petkun e Arturit, protagonisti kryesor në pjesën teatrale “Tango” nga dramaturgu Slavomir Mrozek. Vetë aktori shprehet se është ndjerë i lumtur për rolin që i është besuar, duke qenë se teatri përcjell emocione të ndryshme nga filmi. “Personazhit im lufton kundër një bote, ku standardet dhe rregulli nuk ekzistojnë, madje arrij të bëhem edhe qesharak, me idealizmat e mia në një kohë që çdo gjë ka ndryshuar”, shprehet artisti. Për sa i përket pjesës teatrale “Tango”, ajo është një nga veprat e dramaturgut polak Slavomir Mrozek dhe një nga sfidat e radhës të teatrit profesionist të Durrësit. Është një tragjikomedi që do të shfaqet në skenën e “Aleksandër Moisiut” më 1 tetor nga regjisorja Driada Dervishi. Trupa është duke bërë provat e fundit, për të sjellë sa më shpejt një shfaqje të mbushur me batuta, humor, grotesk dhe nota absurdi. Edhe pse pjesa e Mrozek i përket një periudhe më të hershme, për realitetin shqiptar mbetet aktuale. Subjekti i pjesës rrotullohet rreth një familjeje, të përfshirë në një rebelim bohemian, ku standardet dhe morali thuajse nuk ekzistojnë. Përballë saj vihet Arturi (Nik Xhelilaj), një i ri idealist. Personazhi kryesor i interpretuar nga Xhelilaj vjen si një Hamlet modern, që e gjen mbretërinë e tij në kaos. Në familjen e tij asgjë nuk duket revolucionare me përjashtim të rregullit. Ai nuk ekziston dhe ndërhyrjet e Arturit nuk ndryshojnë gjë. Madje, indinjata e tij tingëllon absurde në realitetin e familjes së tij. Familja shndërrohet në një metaforë për situatën në të cilën kalon vendi. Harrimi me dëshirë i rregullave të brezit të kaluar dhe papërgjegjshmëria duket se triumfojnë në fund të shfaqjes. Shfaqja mbyllet me një tango që përcjell mesazhin e mbytjes së idealizmit, në një kohë që i ka dhënë jetë një lirie të pafre. “Tangoja” e Mrozekut duket se evokon situatën e shumë artistëve dhe shkrimtarëve në vendet e Evropës Lindore. Në rolet e tjera luajnë aktorët e teatrit durrsak: Hysen Bashhysa, Xhelal Tafaj, Sanije Hoti etj., si dhe Artistja e Merituar Aishe Stari, në rolin e gjyshes që pi marihuanë dhe luan bixhoz. Shfaqja vjen në kuadër të “Javës Kulturore Austriake”, që zhvillohet për herë të dytë në qytetin e Durrësit. Këtë vit vëmendja më e madhe u kushtohet mozaikëve, por nuk lihen mbrapa as gjinitë e tjera të artit. Gjatë aktivitetit “Mozaik 2008”, shkëmbimi kulturor është në një nga pikat kyçe të aktivitetit. “Mozaiku” ka filluar mbrëmjen e djeshme, për të vijuar gjer më datë 6 tetor, dhe emra të mirënjohur të muzikës kanë mbërritur në vend dhe do të zhvillojnë trajnime të ndryshme për studentët e Akademisë së Arteve, të diplomuarit dhe liceistët e Durrësit dhe Tiranës, duke mundësuar forcimin e kapaciteteve kulturore në fushën e muzikës. Interesimi për to ka qenë i madh, kjo edhe falë një pune paraprake që ka nisur muaj më parë. Plot 150 studentë dhe liceistë janë regjistruar për të ndjekur kurset e artit muzikor. Shkëmbimi kulturor dhe marrja e më së mirës nga profesorë të muzikës në Austri, në favor të studentëve tanë është një nga synimet e “Mozaikut”, i cili këtë vit vjen edhe më shumë i larmishëm në ngjarjet kulturore që ofron. Driada Dervishi, një nga organizatoret e aktiviteti, është shprehur se nuk do të mungojë gjinitë e tjera të artit. Shembulli më i mirë është shfaqja që po përgatit regjisorja për artdashësit. Përveç pjesës teatrale, java është e mbushur edhe me koncerte. Edhe këtë vit “Mozaik 2008” do të çelet me një koncert të përbashkët të studentëve shqiptarë, të cilët do të ndjekin kurset muzikore të pedagogëve të tyre austriakë. Organizatoret e aktivitetit janë pianistja Emi Aliçka dhe regjisorja Driada Dervishi, që për herë të dytë sjellin artin dhe kulturën austriake në Durrës, duke synuar kthimin e “Mozaikut” në një traditë të përvitshme.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›