Rëndohen të djegurit e gazit, do nisen për në Itali
BERAT/ DILAVER XHELILI
Rëndohet gjendja e të plagosurve nga djegia e gazit në fshatin Lapardha të Beratit. Bektash Cani, pronari i cisternës së gazit dhe babai i viktimës 9-vjeçare si dhe Pashanjor Ago, drejtuesi i autobotit me 11 tonë gaz, do të nisen për një kurim më të specializuar në Itali. Burime nga reparti i djegieve në Tiranë bënë të ditur se, gjendja e tyre është tepër e rëndë dhe kurimi në vend nuk jep për ta shpresa jete. Për këtë shkak, Ministria e Shëndetësisë, me iniciativë edhe të kryetarit të komunës, Lefter Maliqi pritet t'i dërgojë të plagosurit në Itali. Ndërsa vogëlushes 9-vjeçare, Ar-denisa Cani i është dhënë dje lamtumira e fundit. Të afërmit e saj, pasi bënë varrimin u nisën për në Tiranë në pritje për të marrë një përgjigje për nisjen urgjente të të plagosurve jashtë shtetit. Më lehtë se të plagosurit e tjerë është gjendja e 38-vjeçares Zana Cani, e cila po vazhdon kurimin në Tiranë. Banorët e fshatit Lapardha janë ende nën ethet dhe panikun e ngjarjes. Cisterna dhe autoboti me mijëra kilogramë gaz rrezikoi jetën e qindra banorëve që kishin shtëpinë brenda rrezes në rast të një shpërthimi. Ngjarja alarmoi policinë e zjarrfikësit, të cilët shumë shpejt organizuan një grup shpëtimi. Banorët e Lapardhasë u evakuuan. Gjithçka ndodhi brenda pak minutash, kur autoboti i ardhur nga Fieri do të furnizonte cisternën në pronësi të Bektashi Canit. Nga kjo cisternë mbusheshin bombolat e mijëra banorëve të disa komunave përreth. Në momentin që do të furnizohej cisterna, ka pasur rrjedhje gazi në tokë. Ende nuk dihet se si gazi i rrjedhur mori flakë, por dyshohen shkëndijat e vatrës së një kazani rakie që ziente as pesë metra larg vendit ku bëhej furnizimi. Policia tashmë ka nisur hetimet, por ende nuk ka dalë në një version konkret për shkaqet e kësaj tragjedie. Ndërkohë kryetari i komunës, Maliqi u shpreh se ndërtimi i pikës së shpërndarjes së gazit në ambiente jo të përshtatshme, si ky i firmës "Cani" ka qenë shqetësues për komunën e Otllakut. "Si kryetar komune e quaj jo normale ndërtimin e pikës së gazit në lagjet e banuara si kjo në Lapardha. Kjo pikë është ndërtuar jashtë rregullave të kushteve teknike. Një rezervuar me 15 tonë gaz në një lagje është katastrofë. Nuk është normale që në një zonë të banuar të jepej leja për t'u montuar enë nën presion", vijoi kreu i komunës. Sipas tij, komuna do ta korrigjojë këtë gabim. Enët nën presion duhen të montohen në ambiente jashtë zonës së banuar dhe godina duhet të jetë e ndërtuar prej betoni", tha ai.