Bamiri sbëri mirë

Partia Demokratike u bashkua dje me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli për t’i tërhequr vëmendjen preisdentit mbi domosdoshmërinë e këshillimeve mes palëve për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Kryetari i grupit kuvendar demokrat, Astrit Patozi, i ka bërë ftesë dje presidentit Bamir Topi dhe opozitës, që të nisin sa më shpejt procedurën e konsultimit për kandidaturat e Gjykatës së Lartë. Duke komentuar deklaratat për bllokimin e Gjykatës së Lartë, Patozi tha se për këtë çështje “faji” nuk është i Parlamentit, duke e hedhur në mënyrë indirekte përgjegjësinë tek presidenti Bamir Topi. “Lidhur me pretendimet e përfaqësuesve të opozitës për të ashtuquajturin bllokim të Gjykatës së Lartë, na duhet të sqarojmë se Parlamenti ka qenë korrekt dhe strikt, në përputhje me ligjet dhe rregulloren në trajtimin e kandidaturave, dhe se çështja e skadimit të mandatit të disa anëtarëve është ditur shumë kohë përpara dhe se nuk është Kuvendi ai që ka vendosur në minutën e fundit për këtë çështje”, ka deklaruar Patozi, në emër të grupit të deputetëve të Partisë Demokratike. Gjatë deklaratës së tij, Patozi ka përshëndetur votimin e dy netëve më parë, ku u rrëzuan dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë. Ai tha gjithashtu, se shumica u shpreh për principin e Kushtetutës dhe jo për emrat, duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili parashikon që dekretet e presidentit duhet të marrin një pëlqim të vërtetë nga Parlamenti. Duke përshëndetur vendimin e Kuvendit për rrëzimin e dekreteve të presidentit, kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, tha se ai “është një shprehje e vullnetit për të bashkëpunuar ngushtë me Presidentin e Republikës, për emërimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë”. Ndërkohë, ditën e djeshme, në kampin e djathtë ka pasur një “heshtje” nga ana e deputetëve demokratë. Shumica e deputetëve të djathtë nuk kanë “preferuar” të komentojnë çështjen e dekreteve, duke argumentuar se për këtë çështje do të ketë një deklaratë nga grupi kuvendar. Në seancën kuvendare të dy netëve më parë, pesë dekretet e presidentit Bamir Topi për Gjykatën e Lartë u futën për votim në Parlament në mënyrë të papritur. Para se të zhvillohej votimi për dekretet, raporti i Komisionit të Ligjeve iu shpërnda deputetëve të Kuvendit vetëm në fillimin e seancës, ndërsa në të shkruhej se për dekretet presidenti nuk kishte ndjekur procedurat dhe nuk kishte respektuar rregulloren. Edhe pse në kampin e djathtë për çështjen e dekreteve kishte disa zëra kundër, sërish votimi i fshehtë i hodhi poshtë kandidaturat, duke detyruar presidentin Bamir Topi që të mendojë për pesë kandidatura të tjera.