Leskaj: Mazhoranca presion presidentit dhe Gjykatës së Lartë

Partia Socialiste e cilësoi votimin e së hënës në Kuvend kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si presion ndaj institucionit të Presidencës, por edhe vetë gjyqtarëve.
Partia Socialiste e cilësoi votimin e së hënës në Kuvend kundër dekreteve të Presidentit të Republikës për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, si presion ndaj institucionit të Presidencës, por edhe vetë gjyqtarëve. Numri një i socialistëve në Kuvend, Valentina Leskaj, tha dje në një konferencë për shtyp, se po vihet në pikëpyetje pavarësia e institucioneve. “Ne e konsiderojmë qëndrimin e djeshëm të mazhorancës, e cila hodhi poshtë dekretet e Presidentit të Republikës, si një rast alarmant për pavarësinë e Gjykatës së Lartë, si një presion direkt mbi gjyqtarët sipas filozofisë “Ne ju vëmë, ne ju heqim”! Këtu mbetet e qartë që kemi një presion ndaj presidentit, kemi një presion ndaj gjyqësorit, duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucioneve”, - deklaroi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Leskaj u shpreh se situata në Gjykatën e Lartë mbetet e bllokuar, falë votimit të djeshëm, që nuk bazohej tek argumentet, por tek logjika e shantazhit ndaj presidentit. Sipas saj, shumica do të detyrojë kreun e shtetit të bëjë pazar për emërimet e gjykatësve. Në emër të Partisë Socialiste, ajo shtoi se është koha që Kuvendi të reflektojë në funksion të zgjidhjes së kësaj krize që kërcënon pushtetin gjyqësor në vend. “Qëndrimi ynë është i qartë: partitë nuk mund t’i imponojnë Presidentit të Republikës emrat e gjykatësve, të cilët Kushtetuta i jep të drejtën atij që t’i dekretojë. Konsultimi mes presidentit dhe Kuvendit mund të zhvillohet vetëm për të përcaktuar disa kritere orientuese në procesin e përzgjedhjes së emrave”, - u shpreh kryetarja e grupit parlamentar të PS-së. Leskaj deklaroi se socialistët janë të gatshëm të japin kontributin e tyre për një proces të tillë, i cili duhet të fillojë sa më shpejt. Më tej, ajo sqaroi se 31 deputetët e PS-së kanë qenë në unision gjatë votimit të së hënës, në mbështetje të kandidatëve të propozuar nga Presidenti i Republikës. Leskaj garantoi se socialistët janë e do të jenë kundër çdo lloj presioni ndaj kreut të shtetit dhe çdo institucioni tjetër të pavarur. Lidhur me mundësinë e ndërmarrjes së mocionit për shkarkimin e kryeparlamentares Jozefina Topalli, socialistët nuk e përjashtojnë këtë opsion, por janë ende në procesin e vlerësimit të kësaj çështjeje.