E Shtunë, 31 Tetor 2026

Laskaj padit 11 zyrtarë

Inspektorati i Deklarimit të Pasurive çoi për ndjekje penale juristin e njohur Detar Hysi, dy tatimorë, kreun e ujësjellësit, si dhe disa kryekomunarë

TIRANË - Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dorëzoi dje në prokurori kallëzimet penale për 11 zyrtarë, të cilët kanë refuzuar të dorëzojnë deklaratën e pasurisë, edhe pasi janë ndëshkuar me gjoba sipas ligjit në fuqi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë ILDKP, të cilat thanë se 11 subjekte do të përballen me prokurorinë për kundravajtjen penale “refuzim për deklarim”.

“Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dërgoi në organin e prokurorisë kallëzim penal për 11 subjekte, të cilët nuk kanë dorëzuar ende deri ditën e djeshme deklaratën e interesave private, detyrim që duhej të plotësohej deri më 31 mars 2008”, - tha për mediat zëdhënësi i këtij institucioni, Albi Serani. Sipas tij, ndaj këtyre subjekteve Inspektorati i Lartë ka vendosur më parë masën administrative “gjobë”, si edhe i ka paralajmëruar për pasojat ligjore që shoqërojnë refuzimin për deklarim. Në listën prej 11 punonjësish janë dy vartësit e Arben Sefgjinit: Miranda Roshi, inspektore vlerësimi dhe Arben Tole, inspektor kontrolli. Gjithashtu, ndër emrat e zyrtarëve që do të përballen me ligjin është edhe ai i drejtorit të Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizime, Taulant Zeneli, si dhe anëtari i KKRT-së, Detar Hysi. Ndërsa 7 zyrtarët e tjerë të kallëzuar penalisht në prokurori janë kryetarë komunash në rrethet Shkodër, Fier, Korçë, Lezhë, Vlorë e Tiranë. 11 zyrtarët që pritet të përballen me ligjin, sipas ILKDP-së, janë nga radhët e 70 subjekteve që u ndëshkuan me gjobë, pasi nuk dorëzuan në afat deklaratën e interesave private. Pas rakordimeve të kryera në Regjistrin Themeltar të institucionit, rezultoi se deri ditën e djeshme nuk e kishin plotësuar detyrimin ligjor 11 subjekte të niveleve të ndryshme. “Inspektorati ka komunikuar zyrtarisht me subjektet, si edhe i ka njoftuar më shumë se njëherë edhe nëpërmjet medias për plotësimin e detyrimit ligjor”, - thuhet në njoftimin e ILDKP-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›