E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Lartë e sakatuar

Ndonëse vazhdon puna në situatë emergjence, kryetari Thimio Kondi mungon pasi i mbaroi mandati e tani po zëvendësohet nga kancelarja. Nuk ka as kryetar të Kolegjit Civil, ndërsa nga 17 anëtarë, në detyrë janë vetëm 10. Nga dy kolegje civilë, funksionon vetëm një, por Kolegjet e Bashkuara nuk mund të mblidhen.

Në pamje të parë Gjykata e Lartë është po e njëjta, siç ka qenë përpara se të “kërciste” debati gati njëmujor lidhur me mosemërimin e pesë anëtarëve të rinj të saj. Punonjësit e administratës janë në punë si rregullisht, veç atyre edhe më të rëndësishmit, 10 anëtarët e mbetur, vazhdojnë punën normalisht. Sa kalon hyrjen, teksa si përherë është afishuar lista e gjyqeve që do të zhvillohen gjatë ditës, një pjesë e të cilëve kanë shënuar edhe përfundimi i tyre. Por, ndonëse situata duket mëse normale, sipas burimeve, shqyrtimi i çështjeve vazhdon të jetë i tillë, diçka anormale sigurisht që ka. Pikësëpari, pas përfundimit të mandatit të Thimio Kondit, Gjykata e Lartë nuk ka më kryetar. Pra, ashtu si gjatë këtyre ditëve, edhe dje, sigurisht edhe sot, ky institucion nuk e ka kreun e saj. Sigurisht që si çdo institucion tjetër, edhe kreu i këtij institucioni e ka një zëvendësues, që në fakt duhet të ishte kryetari i Kolegjit Civil. Kështu thotë ligji për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, por në rastin konkret mungon edhe kryetari i Kolegjit Civil, që siç thonë burimet nga ky institucion, po zëvendësohet nga anëtarët e kolegjit, sikundër do të ndodhte nëse situata do të ishte normale, por ky kryetar kolegji do të ndodhej jashtë shtetit, ose do të mungonte për arsye shëndetësore. Të njëjtat burime thonë se rolin e kryetarit këto ditë po e kryen kancelarja, e cila sipas tyre ka të drejtën e firmës, sigurisht duke mos përmbushur të gjitha detyrat që ka kryetari. Në bazë të ligjit, kryetari, sipas nenit 7 të ligjit për organizmin e gjykatës, ka këto detyra: Drejton Kolegjet e Bashkuara; bën ndarjen e gjyqtarëve në kolegje; kujdeset për funksionimin normal të gjykatës; emëron dhe shkarkon ndihmësit ligjorë; emëron dhe shkarkon personelin e shërbimeve ndihmesë; bën kërkesat për buxhetin vjetor të Gjykatës së Lartë dhe mbikëqyr zbatimin e tij dhe miraton strukturën, organikën dhe rregullat e brendshme të Gjykatës së Lartë. Thuhet po ashtu se kryetari kryen edhe detyra të tjera që parashikohen me ligj e se ndihmohet nga këshilltarët dhe personeli ndihmës. Në krahun tjetër, kancelari drejton shërbimet ndihmëse në Gjykatën e Lartë. Jo më rrallë se një herë në dy javë kancelari hedh shortin për ndarjen e çështjeve për gjykim dhe autorizon shqyrtimin me përparësi të disa çështjeve gjyqësore. Kancelari vendos kriteret dhe procedurat për emërimin në punë të personelit administrativ dhe bën rekomandime tek kryetari për ndryshime në strukturën organizative dhe organikën e sektorëve të Gjykatës së Lartë. Momentalisht, Kolegji i Bashkuar, sipas burimeve, nuk mund të funksionojë, pasi kryetari i tij është kreu i Gjykatës së Lartë, por shtohet se që nga 27 marsi, kur ka qenë edhe çështja e fundi që ka gjykuar, nuk ka pasur më kërkesa të reja, pra puna nuk ka mbetur pa u përfunduar. E njëjta gjë thuhet se ka ndodhur edhe për çështjet e tjera, që shqyrtohen nga Kolegji Penal dhe ai Civil. Nga 17 anëtarë që duhet të ketë kjo gjykatë sipas ligjit, në përbërjen e saj aktualisht ka vetëm dhjetë. Pesë prej tyre janë në Kolegjin Civil, ndërsa pesë të tjerë në Kolegjin Penal. Në fakt, shqyrtimi i 16 çështjeve të parashikuara për të përfunduar dje u realizua me sukses. Por sikur njëri prej pesë anëtarëve të mungonte, supozojmë për arsye shëndetësore, atëherë çështjet nuk do të mund të shqyrtoheshin. Gjatë gjithë kësaj periudhe, kur numri i anëtarëve ka qenë i reduktuar, sipas burimeve zyrtare, nuk ka pasur asnjë pengesë, por duket se do të mjaftonte shumë pak, që gjërat të ndryshonin për keq. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›