Ban Ki- Moon apel Serbisë dhe Kosovës për bashkëpunim rajonal
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Moon u ka bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të lënë mënjanë konsideratat e statusit në interes të arritjes së bashkëpunimit rajonal. Kërkoj fleksibilitet në vazhdimin e përcaktimit të metodës së veprimit kur flitet për pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonal dhe ndërkombëtar dhe forumet që janë esenciale për zhvillimin ekonomik dhe demokratik dhe stabilitetin afatgjatë në rajon, shprehet Ban
në raportin e fundit për Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi misionin e UNMIK në Kosovë. Raporti i fundit tregon përmirësim në marrëdhëniet e UNMIK-ut me autoritetet kosovare pasi më parë ishin tejet të kufizuara me të dërguarin e posaçëm Lamberto Zannier gjatë muajve të kaluar. Po ashtu raporti thotë se situata e përgjithshme e sigurisë është relativisht e qetë por e brishtë. UNMIK-u mbetet i angazhuar për të ndihmuar të gjitha palët për të gjetur zgjidhje praktike për çështjet e interesit të përbashkët. Pavarësisht bashkëpunimit me të gjitha palët, arrija e marrëveshjeve ka qenë e vështirë në fusha si drejtësia, doganat dhe trashëgimia kulturore, thuhet në raport. Raporti citon rënien e tensioneve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në komunitetin verior Kroi i Vitakut, por thekson se situata në veri mbetet e brishtë. Raporti thotë se incidentet ndëretnike vazhdojnë të ndodhin në Mitrovicë. Gjatë luftës së vitit 1999 dhe shpërthimit të dhunës prej atëherë, kishat ortodokse serbe dhe xhamitë e shqiptarëve myslimanë, ishin shkatërruar ose dëmtuar. Përderisa në raport shprehet kënaqësi për uljen e rëndësishme të tensioneve ndërmjet shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës, në lagjen veriore Kroi i Vitakut, Ban Ki-Moon thekson se situata në veri të Kosovës mbetet e ndjeshme. Veçanërisht, incidentet ndëretnike kanë vazhduar të ndodhin në Mitrovicën veriore, që është arsye për shqetësim, thuhet në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, për situatën në Kosovë, që është publikuar në faqen e internetit të OKB-së. Po ashtu në raport thuhet se UNMIK-u ka vazhduar ti mbështesë komunitetet pakicë, për ta inkurajuar pajtimin dhe për të lehtësuar dialogun dhe bashkëpunimin rajonal dhe theksohet se qëllim strategjik i misionit të OKB-së mbetet promovimi i sigurisë, i stabilitetit dhe respektimi i të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në rajon, nëpërmjet të angazhimit me të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe me Prishtinën dhe Beogradin dhe me aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.