Ban Ki Moon: "Siria po shkel marrëveshjen"

Ban tha se marrëveshja e presidentit sirian Bashar al-Assad për të ndërprerë përdorimin e armëve të rënda më 10 prill nuk “është justifikim për vrasjet e vazhdueshme” deri në atë kohë.
Ban kërkoi nga autoritetet siriane që menjëherë të ndërprenë operacionet ushtarake.
Ish-sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan ka arritur marrëveshjen, e cila iu bën thirrje të gjitha palëve në konflikt që të përfundojnë armiqësitë dhe të nisin negociatat.
Por grupet siriane të opozitës kanë njoftuar se ka pasur akte të reja të dhunës në disa zona të Sirisë. Organizata “Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut” i tha se trupat qeveritare luftuan me forcat rebele në periferi të Damaskut.
Përleshjet shpërthyen edhe në rajonin qendror të Homsit, pasi grupet e armatosura të qeverisë hapën zjarr mbi një grup grash, duke vrarë dy dhe plagosur katër prej tyre.
Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari, tha se kërcënimi ndaj zbatimit të planit të paqes të Annanit nuk vjen nga qeveria e tij, pro nga vende si Arabia Saudite, Katari dhe Turqia, të cilat ai i akuzoi se po armatosin kryengritësit.