Ban Ki Moon do vizitojë Kosovën, në kuadër të një turneu ballkanik
Në Prishtinë ai do të takojë misionin e Kombeve të Bashkuara- ndërsa më pas do të udhëtojë drejt Srebrenicës, në vendin e masakrës së 8 mijë burrave myslimanë të Bosnjës nga trupat serbe
Ban Ki-mun do të jetë zyrtari i parë i lartë i Kombeve të Bashkuara që e viziton Kosovën, që nga shpallja e pavarësisë, në kuadër të turneut ballkanik. Siç ka njoftuar zëdhënësi i OKB-së, Martin Nesirki, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, në fund të javës së ardhshme fillon turin e tij të vizitave nëpër disa vende të Ballkanit, dhe do të ndalojë në Slloveni, Kroaci, Mal të Zi, Serbi, Kosovë dhe Bosnjë.
Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Ban do të vizitojë misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe do të takohet me zyrtarët e lartë vendës dhe ndërkombëtarë.
Pas Kosovës ai do të udhëtojë për në Srebrenicë të Bosnjës, ku forcat e OKB-së i kanë qenë nën presionin e kritikave të ashpra lidhur me dështimin për të parandaluar masakrën e vitit 1995, kur në Srebrenicë u vranë afro 8 mijë burra e djem myslimanë nga forcat serbe.