Berisha: Rama të pranojë heqjen e imunitetit – akuzat ndaj Ministrisë së Mbrojtjes janë shpifje dhe sindromë obsesive

Kryeministri Berisha zhvilloi pak minuta më parë një bashkëbisedim me përfaqësues të medias, rreth zhvillimeve të fundit politike në vend si, miratimi i reformës zgjedhore dhe nisja e procedurës për heqjen e imunitetit
Në nisje të konferencës për shtyp, kryeministri Sali Berisha komentoi akuzat e opozitës ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat cilësoi si kryekëput mashtrime.
Sipas Berishës, akuzat për trafikim armësh dhe përgjim nga Ministria e Mbrojtjes, janë aktrime mediatike dhe pasojë e sindromës së kryetarit të saj Edi Rama. Kreu i qeverisë mohoi kategorikisht shitjen e armëve nga Shqipëria. “Së pari dua tu garantoj që kjo mazhorancë nuk pengon dhe nuk mund të pengojë asnjë nismë të vetme të Parlamentit. Parlamenti ka rregulloren dhe ligjin mbi të cilin ndërmerr veprimet. Shqiptarët duhet ta dinë se në protokollin e parlamentit nuk është dorëzuar asnjë kërkesë e vetme nga opozita për një komision hetimor parlamentar. Këtyre zotërinjve nuk u intereson hetimi por teatralitetit për të njollosur një institucion shumë të rëndësishëm dhe të respektuar të vendit. U intereson të shpifin pa baza se po bëhet trafik armësh. Ju garantoj që nuk ekziston qoftë një fishek i shitur nga ky vend, procedurat për eksportimin e armëve janë tërësisht transparente. Kush i pengoi këta të paraqesin kërkesë për krijimin e një komisioni hetimor parlamentar? A mund të udhëhiqet një parti nga obsesione të tilla? Ushtria shqiptare ka zbatuar dhe zbaton rregullat e saj si një institucion i depolitizuar. Këto vinë nga një njeri që çdo ditë kthen kolltukët se mos i kanë vënë ndonjë përgjues, bashkëpunëtorët e tij dhe jo të tjerët”- u shpreh Berisha.
Reforma Zgjedhore dhe Imuniteti
Duke u ndalur te reforma zgjedhore dhe marrëveshja PD-PS që çoi në finalizimin e një çështje të shumë debatuar dhe shumë kërkuar nga Brukseli, kryeministri Berisha tha se mazhoranca ofroi të gjitha alternativat në këtë proces duke bërë mjaft lëshime.
Ndërkaq, duke e vlerësuar ligjin për heqjen e imunitetit të ofruar në parlament ekspertët e KiE-së dhe EURALIUS, kryeministri deklaroi se heqja e imunitetit lufton korrupsionin, ndërsa ftoi kreun e opozitës Edi Rama që ta votojë atë më 6 gusht. I pyetur nëse do të ketë ndryshime në Kushtetutë për heqjen e imunitetit, kryeministri Berisha theksoi se edhe pse imuniteti në kushtetutë është një standard i tepërt, ajo nuk mund të shpërbëhet mbi bazën e pendesës. “Që ta bëjmë kushtetutën si veprën e Penelopës, nuk mund ta bëjmë. Imuniteti është standard i tepërt i kushtetutës dhe të kërkosh tani për ta shpërbërë kushtetutën mbi bazën e pendesës, kjo nuk mund të bëhet”- theksoi shefi i qeverisë, ndërsa vlerësoi ndryshimet e bëra në të në vitin 2008 me Ramën. “Kushtetuta e Shqipërisë nuk ka në mënyrë kategorike përveç se vlerësime pozitive. Në 2008 me Ramën bëmë një reformë kushtetuese që unë do ta quaja të një rëndësie të madhe për vendin, po ai është si puna e “Haxhi Pishmanit” nuk kam ç’i bëj, ai thotë u nguta dhe nuk është i sinqertë, se është punuar 4 muaj me grupet e interesit, por puna ka qenë shumë mujore dhe ajo Kushtetutë është sot një nga dokumentet më të shkëlqyer ligjorë”- theksoi më tej shefi i qeverisë.
100 vjetori i Pavarësisë dhe versioni real i historisë
I pyetur për deklaratat e tij me rastin e festimeve të 100 vjetorit kreu i qeverisë tha se do të bëjë gjithçka që ky 100 vjetor të jetë në piedestalin e duhur duke njohur versionin real të historisë. “Synoj ta shndërrojmë këtë 100-vjetor në një piedestal. Kemi ardhur në këtë 100-vjetor si një komb me histori të falsifikuar. Më atribuojnë gjëra që nuk i kam thënë kurrë”- theksoi Berisha, ndërsa shtoi se s’mund të mohohen të vërtetat që ekzistojnë. Ai akuzoi ish-diktatorin Enver Hoxha për qëndrimet makabre dhe antikombëtare që ka mbajtur duke përjashtuar Kosovën. “Duhet të jetë një 100 vjetor analize, ideja se Berisha po nxjerr në pah figura nga veriu dhe Kosova, këto janë qëndrime antikombëtare. Enver Hoxha nuk e përjashtoi Ahmet Zogun se ishte nga Mati, por sepse çdo ditë ia errësonte pushtetin e tij. Historia duhet të gjykohet në kontekstin e kohës dhe të rrethanave. Kanë dalë debate për numrin e dëshmorëve, nuk e di sa është por di që shqiptarët kanë luftuar, është e patolerueshme të shpallësh dëshmorë ata që nuk janë”- tha ai.
...