E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon kërkon përmbajtje nga Siria

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, i bëri thirrje Sirisë që të heqë dorë nga përdorimi i armëve të rënda kundër civilëve. Gjatë një bisede që Ban zhvilloi në New York me ministrin e Jashtëm sirian, Walid al Moallem, ky "dëgjoi me vëmendje" dhe premtoi që t`ia dërgojë këtë porosi udhëheqjes në Damask, bëri të ditur Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i OKB, Jan Eliasson.

Sipas OKB-së, hapi i parë për zbutjen e dhunës duhet të bëhet nga qeveria siriane, më pas duhet të pasojnë hapa të tjerë nga opozita, tha Eliasson më tej. Kjo do të rriste gjasat që të arrihet një lëvizje në nivelin politik.

Eliasson bëri po ashtu të ditur se duke filluar nga java e ardhshme i dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, do të punojë nga qyteti i Kajros.

Dhe ndërsa përpjekjet diplomatike po vazhdojnë, në Siri nuk po ndalen luftimet.

Që nga fillimi i kryengritjes kundër presidentit Bashar al-Assad, në mars të vitit 2011, janë vrarë sipas vlerësimeve më shumë se 31 mijë persona.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›