E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ban Ki Moon paralajmëron Phenianin

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka paralajmëruar Korenë e Veriut kundër "masave të mëtutjeshme provokuese", pasi Pheniani tha se ushtria e tij është e përgatitur për të ndërmarrë "veprime të veçanta", që do ta bënin hi qeverinë e Koresë së Jugut brenda disa minutave.

Kërcënimi i Koresë së Veriut vjen pas dështimit të lansimit të një rakete me rreze të gjatë veprimi.

Zyrtarët e Koresë së Jugut kanë thënë se ekzistojnë dëshmi se Pheniani mund të jetë duke u përgatitur për të kryer një provë tjetër bërthamore.

Ban, si një ish-ministër i jashtëm i Koresë së Jugut, tha se këto veprime "nuk janë të dëshirueshme për paqen dhe stabilitetin e Gadishullit të Koresë".

Ban i ka bëri thirrje Koresë së Veriut që ta respektojë plotësisht rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-se, e cila ndalon testet bërthamore dhe raketore.

Në anën tjetër, presidenti i Kinës bëri thirrje për lidhje më të fuqishme me Korenë e Veriut.

Hu Jintao e bëri premtimin e tij në një takim me një delegacion të Partisë së Punës të ardhur në Pekin, të kryesuar nga Kim Yong il.

Ndërkohë Shtetet e Bashkuara kanë ngritur dyshimet mbi Kinën, se një raketë-hedhës i parë javën e kaluar në Phenian ishte me origjinë kineze.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›