E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ashpërsohet konflikti mes dy Sudanëve

Presidenti i Sudanit, Omar al-Bashir, përjashtoi mundësinë e bisedimeve të paqes me Sudanin e Jugut, ndërsa theksoi se veprimet ushtarake do të vazhdojnë.

Deklarata e tij u bë gjatë një vizite në rajonin të pasur me naftë, Heglig, i cili u rifitua pas pushtimit nga trupat e Sudanit të Jugut, rreth dy javë më parë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara i kërkoi urgjentisht Jugut, i cili fitoi pavarësinë nga Sudani në korrik 2011, që të tërhiqej, ndërsa ekziston frika se konflikti kufitar është duke u përshkallëzuar në një luftë të plotë mes dy vendeve.

Sipas Sudanit të Jugut, trupat u tërhoqën nga Hegligu, por sipas al-Bashir, ishte ushtria e Sudanit ajo që i detyroi të zmbrapseshin, në një luftë në të cilën mbetën të vrarë mbi një mijë ushtarë.

Aeroplanë të ushtrisë sudaneze u panë duke bombarduar rajone përtej kufirit nga korrespondentë të medieve ndërkombëtare. “Ne nuk do të bisedojmë me qeverinë e Jugut, pasi ata nuk kuptojnë asnjë gjuhë tjetër përveçse asaj të armëve”, deklaroi al-Bashir për “Reuters”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›