E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shala: Vendimi për veriun mund të rrezikojë territorin e Kosovës


Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala ka vlerësuar se nëse veriu bëhet njësi e veçantë politike, gjithsesi që do të rrezikohet tërësia territoriale e Kosovës dhe do të krijohet asimetria për të drejtat e serbëve. Sipas tij, asimetria u krijon probleme edhe vetë qytetarëve serbë. Në një intervistë dhënë për të përditshmen "Koha Ditore", Shala ka vlerësuar se nëse serbëve që jetojnë në veri të Kosovës u jepet një e drejtë më shumë sesa iu është ofruar me Paketën e Ahtisaarit dhe u është dhënë bashkëkombësve të tyre në jug të lumit Ibër, Kosova do të jetë shtet jofunksional, do të shndërrohet në një "përbindësh administrativ" dhe do të përsërisë Bosnjën. Gjithashtu Shala duke folur për proceset në vend, theksoi se edhe kryeministri Hashim Thaçi, dhe ministri Fatmir Limaj duhet të japin dorëheqje pas aksioneve të ndërmara nga EULEX-i. Sipas tij, nuk do të ketë amnisti ndaj asnjë zyrtari që ka bërë krim në Kosovë, qoftë edhe zyrtar i AAK-së. Ish koordinatori i Ekipit të Unitetit po ashtu ka vlerësuar se diplomacia kosovare ka bërë gabim në hapat e saj, kur ka kërkuar rezolutën e re në Këshillin e Sigurimit".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›