E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban ki Moon: Kurrë nuk kam parë këso katastrofe

Islamabad, 15 gusht – Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban ki - Moon deklaroi sot se kurrë nuk ka parë katastrofë të tillë të ngjashme me atë që kanë shkaktuar përmbytjet në Pakistan.

Duke vizituar viset më të rrezikuara në pjesën qendrore të Pakistanit, Moon ftoi donatorët ndërkombëtarë që të dërgojnë ndihma në këtë pjesë ku jetojnë 20 milionë njerëz.
 
“Ishte kjo një ditë e dhimbshme për mua. Kurrë nuk do të harroj shkatërrimet dhe vuajtjet që i kam parë sot. Kam parë më herët katastrofa të numërta natyrore nëpër botë, por asgjë të ngjashme me këtë”, tha Sekretari i përgjithshëm i KB-ve pas takimit me presidentin e Pakistanit, Asif Ali Zardari.
 
Numri i të vdekurve në përmbytjet në këtë shtet ka tejkaluar 1 500, por të rrezikuar janë me miliona njerëz. KB-të kanë apeluar të grumbullohen 460 milionë dollarë ndihma, por deri tashti janë grumbulluar vetëm 20 për qind e kësaj shume.
 
Përmbytjet kanë shkatërruar të lashtat në 3.2 milionë hektarë dhe me qindra mija shtëpi, ndërsa 25 për qind e tërë territorit të Pakistanit është nën ujë. ç’është më e keqja, meteorologë parashohin reshje të reja të shiut të monsunit, që do të thotë edhe përmbytje të reja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›