E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimet e kthejnë në rishqyrtim librin me gabime për Kosovën

Shkup, 15 gusht - Libri “Shoqëria” e klasës së pestë, i cili u botua me gabime, pas shumë reagimeve është kthyer në rishqyrtim. është formuar ekip i ri i recensentëve, i cili do të rishqyrtojë nga e para gabimet në këtë libër, ndërsa në të njëjtën kohë shpërndarja e librit është ndërprerë. Ministri i arsimit dhe shkencës Nikolla Todorov tha se ndjen përgjegjësi, por nuk është fajtor për gabimet në libër.
“Po, ndjej përgjegjësi, por bëj edhe krahasim mes asaj që të jesh përgjegjës dhe të jesh fajtor. Dua të them gjithashtu se menjëherë komisioni kombëtar për tekste formoi ekip të ri të recensentëve, të cilët do të bëjnë super-recension për këtë libër, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe libri nuk do të shpërndahet”, deklaroi ministri Todorov, transmeton Alsat-M.
Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Lindita Qazimi tha se Komisioni kombëtar i themeluar nga qeveria, në bazë të ligjit për tekstet shkollore, është dashur ta kthejë në rishqyrtim librin në momentin që kanë vërejtur gabimet, pasi një gjë të tillë u garanton ligji. 
Në librin “Shoqëria” e klasës së pestë Republika e Kosovës është paraqitur si pjesë e Serbisë. Përveç gabimeve lidhur me Kosovën dhe kulturën shqiptare, në këtë tekst shkollor janë bërë gabime edhe me kulturën maqedonase. Libri me të gjitha këto gabime rreth shtetësisë së Kosovës është kontrolluar nga komisioni 21 anëtarësh, në të cilin bëjnë pjesë edhe 4 shqiptarë: Vebi Kadriu, Dervish Kamberi, Sali Emini dhe Qani Haliti. Përmbajtjen e re të librit “Shoqëria” do ta shqyrtojnë anëtarët e njëjtë të komisionit kombëtar.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›