E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banaliteti i sofizmave, niveli i mbramë i një opozite

11-10-2011 / Nga Lavdrim Lita

Dje, ora 11.45 në konferencë për shtyp del kryetari i Partisë Socialiste, i cili pa takt shpërtheu furishëm: “Saliun as e kemi zgjedhur ne, as e ka zgjedhur shumica e shqiptarëve. Ai është ai që është, përfaqësues i pakicës që sundon me vota të vjedhura”. Avazi i delegjitimimit të kundërshtari politik është kthyer në një refleks të kushtëzuar. Ky refleks përthyhet dhe me një gjuhë tallëse, me të cilën kreu i opozitës, Edi Rama iu drejtua deputetëve të tij, për t’i apeluar nëpërmjet ekranit kryeministrit Berisha: “I ribëj apel Saliut të mos vazhdojë të shikojë gishtin kur gishti tregon Hënën”. Pa pikë respekti, i drejtohet Kryeministrit të vendit dhe kreu të maxhorancës sikur ky të ishte një vartës i rëndomtë i partisë së tij. E kemi të vështirë të besojmë se gjuha denigruese plot ultimatume, si dhe kërkesa me patjetër për të pasur një përgjigje i shërbejnë uljes në tryezën e bisedimeve për reforma të mëdha.
Pikë së pari kryeministri ka emër dhe mbiemër dhe nuk është shok i Ramës, që ky ta quaj me nofkën “Saliu”. Dhe prej këtu serioziteti i konferencës së djeshme për shtyp bie për tokë, sikur të ishte një tjetër pështymë ndaj reformave konstruktive që do të shërbenin si provë stabiliteti politik për marrjen e statusit  e vendit kandidat. Pikë së dyti fakti që hedhja poshtë e dy vjet ekspertizë ligjore të USAID-it dhe qeverisë shqiptare për ngritjen, sipas standardeve, të Gjykatës Administrative është sinjalizues për refuzimin banal reformës. “Ne nuk jemi kundër gjykatës administrative”, thotë Rama, “por jemi kundër një gjykate që shtohet në hallkën e gjykatave të korruptuara të kontrolluara nga Saliu dhe oborri i tij”.
Mirëpo e vërteta është ndryshe. Gjykata Administrative është e rëndësishme për marrëdhëniet biznes- shtet-  ka deklaruar pak muaj më parë Richard Uolfe përfaqësuesi i USAID – duke bërë apel për vendosjen në funksion sa më parë të kësaj gjykate. Domosdoshmëria e ngritjes së kësaj gjykate vjen si domosdoshmëri për marrëdhëniet biznes-shtet, rritjen e transparencës dhe uljen e korrupsionit. Të kundërtën mendon kreu i PS-së: “Gjykata e Saliut”. Afërmendsh politizimi i skajshëm i kësaj reforme është një mesazh jo për qeverinë e kryeministrit Berisha, por për taksapaguesit amerikan që janë donatorët  kryesorë të këtij projekti. Edi Rama po mundohet të mbrohet duke sulmuar politikisht me një gjuhë të ashpër qysh në themel Gjykatën Administrative, si “Gjykata e Saliut”, që ka mbetur peng i kartonëve të opozitës, meqenëse ligji për ngritjen e Gjykatës Administrative kërkon një shumicë të cilësuar pre 3/5 e votave në Parlament.
Mes frikës se diçka do të ndodhë dhe shpresës se nuk do të ndodhë ka më shumë hapësirë sesa mendohet. Në atë hapësirë të ngushtë, të ashpër, të pajetë dhe të errët kalon jetën pjesa më e madhe e njerëzve. Mes tjerash njeriu që s’ka besim tek hija e tij përgojoi dhe INSTAT-in me fjalët “Saliu gënjeu hapur, siç e ka zakon, kur tha se vendosja e TVSH-së së ilaçeve ka ulur çmimet e tyre. E pavërtetë. Edhe INSTAT-i i kontrolluar prej tij thotë të kundërtën”. Këto sofizma infantile edhe e kontrollon “Saliu” edhe i del e kundërta “Saliut”, janë me të vërtetë të një niveli të pashpresë. Që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri më sot, ky është niveli më banal, më antikombëtar i opozitës shqiptare. Përgjegjësia nuk është e këtij të papërgjegjshmi, por dhe intelektualëve dhe pjesës së shëndoshë në të majtën shqiptare. Në qofte se e majta do të kishte luajtur rol progresive në këto vitet e fundit jo vetëm që vendi do të ishte më pranë Europës, por sidozot do të kishte një standard më të lartë demokracie e jetese. Për më shumë se dy vjet qëndrimet dhe veprimet e opozitës socialiste shkuan deri aty sa u dhunuan institucionet. Kurse me një ngrehje të Ramës, pas vitesh hallakatje në bojkote, protesta, greva urisë dhe demonstrata  të dhunshme, ky politikan  jo koherent sillet të bëjë për budalla: “Do apo nuk do që ta afrojë Shqipërinë me BE-në dhe ta shfrytëzojmë krizën ku ndodhemi për të dalë në një stacion të ri të integrimit me një shtet më serioz? Unë nuk them nuk do”. Edi Rama vet pyet dhe vetë përgjigjet, deri aty sa arritur jermi opozitar.
Sido që të jetë njerëzit më arsye në PS duhet t’i thonë Ramës se reformat i bën qeveria dhe qeveria nuk punon me kalendarin e opozitës, por me kalendarin e saj.  Edi Rama duhet të kuptojë fare mirë  që nuk do të bëhet asnjëherë ashtu sic thotë ai sepse ai është në opozitë dhe duhet vetëm të propozojë dhe të votojë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›