E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, Dokle sulmon akuzën për gjyqin

Ndërsa parashtronte konkluzionet përfundimtare të klientit të tij, avokati i Endrit Dokles, në proçesin gjyqësor për bandën e Durrësit nuk ka lënë pa shigjetuar edhe drejtuesit e qeverisë. Në dokumentin e konkluzioneve përfundimtare avokati i të pandehurit Dokle deklaroi se emri i klientit të tij është përdorur politikisht nga qeveria, si trofe në luftën kundër bandave kriminale.

Avokati Semani ka akuzuar edhe Prokurorinë për një proçes të montuar politik, ndërsa sipas tij dëshmia e dhënë nga i penduari Adriatik Coli është e rreme dhe nuk vërteton pjesëmarrje të klientit të tij në veprat e rënda kriminale të bandës. Më tej seanca gjyqësore në Gjykatën e Krimeve të rënda vijoi edhe me konkluzionet përfundimtare për të pandehurin tjetër, Adriatik Coli, i cili gëzon statusin e të penduarit të drejtësisë.

Ndërsa vijonte deklaratën para trupit gjykues, në kafazin e ndarë nga ai i të pandehurve të tjerë në drejtim të Colit nuk kanë munguar as shigjetimet nga ana e të pandehurve të tjerë. Coli e cilësoi dëshminë e tij si tërësisht të vërtetë dhe, nga ana e pjesëtarëve të bandës nisën akuzat dhe shigjetimet se po i fuste në burg me dëshminë e tij.

Ndërkohë pas përfundimit të konkluzioneve për të pandehurit Endrit Dokle dhe Adriatik Coli në seancën e radhës pritet të përfundojë kjo fazë edhe për të pandehurin Selman Heti, çka do ti hapë rrygën gjykatës për dhënien e verdiktit përfundimtar për 16 të pandehurit e bandës së Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›