E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, dëshmon me dyer të mbyllura Genta Jaho

TIRANë- Seanca e sotme e bandës së Durrësit është zhvilluar me dyer të mbyllura. Mësohet se është thirrur për të dëshmuar në këtë seancë të zgjatur mbi 5 orë Genta Jaho, e motra e Valbona Jahos që sipas Prokurorisë është përdorur nga anëtarët e Bandës së Durrësit.

Jaho sipas Prokurorisë ka qënë karrem i bandës për të nxjerrë në pritë Marsel Sotirin, ky i fundit i ekzekutuar nga banda e Durrësit. Por duke qënë se seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura nuk dihet se cfarë ka thënë në këtë seancë dëshmitarja Jaho.
Në fillim të seancës u hodh ideja e marrjes se dëshmisë së saj përmes videkonferencës por avokatët kundërshtuan, ndërkohë që trupi gjykues vendosi që dëshmia të jepej me dyer të mbyllura.

Emri i Genta Jahos është përmendur edhe gjatë dëshmisë së një ish inspektori policie në Durrës, Albert Strati. Ai ka dëshmuar se rreth 2001 ka kontaktuar me një vajzë me emrin Genta Jaho e cila kërkonte të bënte kallëzim penal ndaj dy shtetasve Klodian Saliu i vrarë në 2005, si kapo i bandës së Durrësit dhe ndaj Indrid Taullahut, i cili aktualisht është i pandehur në këtë proces. Vajza sipas inspektorit dyshonte se motra e saj ishte marrë peng nga anëtarë të bandës.

Ndërkohë gjykata është në pritje të dëshmisë tjetër po kaq të rëndësishme për procesin, dëshmisë së Valbona Jahos. Mbi të pandehurit e të ashtëquajturës banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›