Grabitje në dyqanin e armëve të gjahut
Policia gjen gjurmë gishtash të autorëve në xhamat e thyer të dyqanit të armëve. Dyshohet se janë të mitur
Persona të paidentifikuar kanë vjedhur katër armë gjahu në një dyqan në bulevardin “Zogu I”
TIRANË- Vidhet me thyerje një dyqan armësh në qendër të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, kur persona ende të panjohur kanë thyer xhamat e dyqanit të armëve të gjahut, që ndodhet në bulevardin “Zogu I” në Tiranë, duke vjedhur më pas nga rruga katër armë gjahu. Burime nga policia thanë se dy armë gjysmë-automatike të markës “Benelli” të llojit shotgan dhe dy pushkë mungonin në armaturën e dyqanit. Mësohet se vjedhja është konstatuar mëngjesin e djeshëm kur punonjësit kanë mbërritur për të hapur dyqanin. Xhamat e dritareve ishin të thyer ndaj dhe punonjësit lajmëruan menjëherë policinë. Oficerët e komisariatit të policisë nr.3 mbërritën menjëherë pranë dyqanit për të bërë këqyrjen e provave. Policia fiksoi provat në vendin e ngjarjes, duke administruar dhe gjurmët e gishtërinjve të gjetura në xhamat e dyqanit me qëllim identifikimin e autorëve. Burime nga policia thanë se pas bilancit të kryer nga punonjësit e dyqanit dyshohet se autorët kanë mundur të vjedhin katër armë gjahu. “Duke zbardhur mekanizmin e vjedhjes, policia dyshon se autorët mund të jenë të mitur. Megjithatë, çështja po hetohet për të identifikuar autorët e kësaj vjedhjeje” -thanë për “Shekullin” burimet policore. Gjatë ditës së djeshme, policia ka shoqëruar disa persona si autorë të dyshuar kryesorë të ngjarjes, por pasi janë marrë në pyetje ata u lanë të lirë, ndërsa ka ushtruar dhe disa kontrolle ku dyshohet se kishin përfunduar armët e vjedhura. Megjithatë, policia shton se autorët mund t’i kenë shitur armët e vjedhura. Ndërkohë që ndryshe nga policia, e cila deklaroi se janë zhdukur katër armë gjahu nga armatura e dyqanit, punonjësit e këtij të fundit shprehen se nuk është vjedhur asnjë armë. “Nuk ka ndodhur asgjë. Ndoshta diçka e vogël, por jo të jenë vjedhur armë,”- shprehet shkurt një punonjës i dyqanit të armëve, i cili duket se nuk ka dashur të bëjë publike vjedhjen. Ata nuk kanë mohuar faktin se gjatë natës duke u gdhirë dita e djeshme, persona të panjohur kanë thyer xhamat e dyqanit, por nuk pranojnë të deklarojnë vjedhjen e kryer.