Amato: Rama ka sjelljen e një lideri
TIRANË- “Është një njeri që ka cilësi të jashtëzakonshme, një kapacitet të madh teknik dhe sjelljen e një lideri”. Ky ka qenë përkufizimi që i ka bërë ish-kryeministri italian, Xhualiano Amato, kreut të opozitës shqiptare Edi Rama, gjatë një analize mediatike që i ka bërë zhvillimeve politike në Shqipëri dhe perspektivës së zhvillimit të vendit tonë. I pranishëm në takimin konsultativ që zhvilluan për dy ditë me radhë, ekspertët e së majtës italiane dhe ata të PSSH-së për problemet dhe idetë e së ardhmes, Amato, si një kontribues direkt në këtë proces, ka vlerësuar kryesocialistin Edi Rama si njeriun e duhur për të sjellë ndryshimin e pritshëm jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga gjithë partnerët ndërkombëtarë që asistojnë Shqipërinë në rrugën e saj integruese në familjen e madhe evropiane. I pyetur nëse Rama është në gjendje t’i përgjigjet kërkesave të kohës si një kryeministër i mundshëm, ai është shprehur “Jam i bindur se po. Unë e kam njohur vite më parë, kur ishte atëherë Kryebashkiaku i ri i Tiranës. Është e vështirë të gjenden së bashku elementë të tillë dhe Shqipëria ka avantazhin e të pasurit një njeri të tillë”. Por pavarësisht besimit të shprehur tek Rama, ish-kryeministri Italian nuk ngurron t’i përcjellë atij edhe disa këshilla miqësore, duke theksuar se për të fituar zgjedhjet duhet vizion dhe për të qeverisur duhet punë. “Është shumë i zoti, por unë do t’i thosha, që për të fituar zgjedhjet duhet t’i kushtojë shumë nga vetja e tij vizionit, pasi zgjedhjet fitohen përmes vizionit. Pasi të ketë fituar zgjedhjet, duhet t’i dedikohet mënyrës për ta arritur atë vizion, pasi një muaj pas fitores, vizioni nuk është më i mjaftueshëm, por janë gjërat që bëhen”, - tha më tej Amato. Ndërsa duke u ndalur tek gjendja në Shqipëri, ish-numri një i ekzekutivit Italian ka theksuar se sot vendi ynë gjendet para problemeve të mëdha, duke filluar që nga administrata, arsimi, shëndetësia, bujqësia etj. Ndryshimi i kësaj gjendje sipas tij kërkon në radhë të parë një ndërhyrje të guximshme sidomos në kredibilitetin dhe transparencën e administratës, e cila do të kthente besimin e qytetarëve të institucionet. “Sot Shqipëria gjendet para problemeve të mëdha ende të pazgjidhura. Për këtë, është i nevojshëm një vizion për të ditur se ku do të arrish. Nuk ka vetëm një gjë, ka përherë më shumë se një prioritet. Duhet pasur besim në aksionin publik, pra duhet kthyer besimi në aksionin publik, kjo do të thotë që duhet punuar shumë me kredibilitetin dhe transparencën e administratës. Kjo është shumë e rëndësishme për njerëzit. Shumë gjëra kalojnë përmes administratës, madje edhe shëndeti kalon përmes administratës dhe impresioni që e vetmja mënyre për të mbaruar punë është t’i japësh diçka dikujt apo që duhet të jesh mik i dikujt, është gjëja e parë që duhet ndryshuar”, - tha Amato. Gjithashtu ai ka vlerësuar se aktualisht Shqipëria nuk ka energjitë e duhura për të bërë gjerat e pritshme. Nisur nga ky minus i madh, Amato ka theksuar se një zgjidhje e mirë për të dalë nga kjo situatë është programi politik dhe qeverisës që po përgatit Partia Socialiste. Aplikimi i një programi të tillë, sipas ish-kryetarit të qeverisë italiane, do të sjellë një administratë që funksionon, që nuk bën dallimin mes qytetarëve, një sistem shëndetësor, i cili do të mund të mbulojë nevojat më të rëndësishme për të gjithë dhe mbi të gjitha do të ketë një program asistence sociale, i cili nuk do të hedhë lekët duke asistuar ata që nuk kanë nevojë, por do t’ia japë atyre që kanë nevojë dhe do të ketë gjithashtu infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të ketë atë proces rritjeje të fortë.